×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti s’i kursen fjalët e mira për Martin Berishajn, e falënderon përzemërsisht ambasadorin nën hetim

    Reporteri
    23 Tetor 2022 | 14:36

    Kryeministri Albin Kurti u angazhua fort që t’i dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili po hetohet nga Prokuroria për deklarim të rremë të pasurisë.

    Martin Berishaj, ish-anëtar i Kryesisë së LVV-së, u falënderua përzemërsisht nga Kurti mëngjesin e sotëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

    Kurti kujtoi se si Berishaj, i përmendur në një skandal financiar në Slloveni, “u desh ta ndërpriste mandatin në kryesi për t’iu përkushtuar detyrës së re” të ambasadorit.

    “Këto edhe punë të tjera, të cilat i kemi prezantuar e vazhdojmë t´i prezantojmë në qeveri, janë meritë edhe e angazhimit dhe e kontributit të kryesisë së kaluar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti, duke kujtuar se “një pjesë e asaj kryesie sot janë në pozita të rëndësishme shtëtërore”.

    Duke përmendur edhe persona të tjerë që nga Kryesia e LVV-së dolën dhe morën pozita të rëndësishme në shtet, Kurti i falënderoi ata përzemërsisht.

    “Të gjithë këta i falënderoj, secilin me gjithë zemër, me mirënjohje shumë të madhe për punën që e kanë bërë. Jam i sigurt se e kanë bërë këtë punë jo për mua, po as për veten e tyre. E kanë bërë me idealin më të lartë kombëtar e shoqëror, dhe vlerësoj se kanë bërë punë shumë të mirë”, tha kryetari i LVV-së.

    Një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, i publikuar në maj të këtij viti, dokumentoi se afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020. 600 mijë euro nga to, mediat sllovene kanë raportuar se janë derdhur nga dega në Beograd e furnizuesit energjetik slloven GEN.

    Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!