×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada Amerikane: Vizitë produktive e Escobar në Kosovë

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 10:08

    Vizitë produktive e ka quajtur Ambasada Amerikane në Prishtinë, vizitën e të ngarkuarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shpërndarë disa fotografi të Escobar gjatë takimit me krerët e shtetit, opozitën dhe krerët e Kishës Ortodokse serbe duke e quajtur vizitën e tij si “të plotë dhe produktive”.

    “Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar pati një vizitë të plotë dhe produktive në Kosovë këtë javë. Ai pati takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe me krerët e Kishës Ortodokse Serbe dhe të opozitës politike”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.

    Escobar para largimit nga Kosova dhe udhëtimit drejt Serbisë, tha se diplomatët evropianë që janë të angazhuar në procesin e dialogut i kanë thënë  atij se një marrëveshje Kosovë-Serbi, është çështje javësh.

    Vizita e të ngarkuarit amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, ndodhi vetëm 10 ditë para se të kalojë afati kur qytetarët serbë me vetura me targa të qyteteve të Serbisë, nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë. I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, tha se i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që vendimin e reciprocitetit për targat ta shtyjë me 10 muaj, por tha se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

    ”Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë vendimin për targat e veturave për nja 10 muaj. Nuk mora zotim as nga kryeministri Kurti, as nga presidentja Osmani për kërkesën tonë. Por, ne besojmë se është e rëndësishme që kur bëjmë rekomandime, njerëzit të dëgjojnë”, tha Escobar. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!