×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori britanik kritikon deputetët për emërimet pa kritere

    Reporteri
    02 Korrik 2020 | 13:08

    Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.


    Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott ka kritikuar proceset e emërimeve të mëparshme, ku siç  deklaroi pavarësisht rekomandimeve të ambasadës, janë emëruar në pozita të larta njerëz që nuk kanë përmbushur kriteret.

    “Me kënaqësi të veçantë nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit për vazhdimin e mbështetjes britanike për rekrutime meritore në Kosovë, një fushë e cila ka nevojë për përmirësim të mëtejmë. Nepotizmi dhe korrupsioni si probleme të mëdha në Kosovë rrallë shpërfaqin aq dukshëm si në rastin e rekrutimeve publike, këto probleme nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet politik, dhe me punë profesionale dhe me integritet”, tha ambasadori Abbot, shkruan Reporteri.net.

    Suksesi i këtij projekti duhet të jetë i Kosovës, por edhe emërimet jo meritore do të jenë dështime të Kosovës dhe institucioneve të saj.

    ” Kemi pasur procese rekrutuese të suksesshme, kemi edhe përvojë të hidhur kur përkundër punë së panelit, Kuvendi me shumicë votash ka emëruar individë që nuk përmbushnin kriteret, duke i ditur mirëfilli rezultatet e proceseve rekrutuese të mbështetura nga projekti. Në raste të tilla do të reagojmë, siç kemi reaguar sepse një sjellje e tillë institucionale është shumë e dëmshme për Kosovën dhe e pandershme për miqtë. Uroj që kësaj radhe të mos kemi raste të tilla”, ka thënë ai.

    Abbott ka bërë thirrje që profesionistët të aplikojnë dhe të kontribuojnë në udhëheqjen e institucioneve.

    “Korrupsioni nuk luftohet për një ditë apo një javë, por, për çdo ditë por një kohë të gjatë, gjithmonë. Lufta më e mirë është kur profesionistët e fushave përkatëse dhe njerëzit me integritet vendosin të aplikojnë dhe të kontribuojnë me njohurit e tyre në udhëheqjen e institucioneve”, tha Abbot. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!