×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori gjerman refuzon të japë data për heqjen e vizave, Haradinaj me premtim të ri

    Reporteri
    13 Maj 2019 | 18:10

    Ambasadori gjerman, Christian Heldt, më datë 8 maj ka deklaruar në Drenas se nuk dihet se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave, por që liberalizimi duhet të ndodhë.


    Pra ai nuk ka dhënë asnjë datë se kur kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm drejt perëndimit.

    Por hezitimi i ambasadorit gjerman për mos dhënë data fare nuk po e pengon kryeministrin Ramush Haradinaj i cili po jep data të ndryshme.

    Ndërsa kohë më parë premtoi se në qershor do hiqen vizat, më pas ai ndryshoi deklaratë ku më 8 maj para anëtarëve të partisë së tij tha se “shtatori është opcional me u marr vendimi që ne me lëvizë brenda një viti lirshëm”.

    Por kryeministri tashmë ka dhënë një premtim tjetër për heqjen e vizave.

    “Liberalizimi i vizave për qytetarët do të kryhet para fundit të këtij viti”, ka deklaruar sot Haradinaj gjatë takimit me strukturat e AAK-së në komunën e Vitisë, shkruan Reporteri.net.

    Këtë premtim tha ai e bën duke e ndërlidhur edhe me mbështetjen që ministri i brendshëm gjerman i ka dhënë në një takim në Samitin e Berlinit.

    “Ministri i Brendshëm gjerman në takimin me ta më ka thënë se jam për lieralizim të vizave dhe ata për menjëherë. Unë e di që para fundit të vitit po e kryejmë edhe këtë punë”, ka thënë Haradinaj.

    Kujtojmë se premtimi i parë për vizat erdhi në vitin 2011 nga Hashim Thaçi që atë kohë ishte kryeministër. Ky i fundit nuk u ndal me premtim të njëjtë për disa vite, kurse pas tij premtime të njejta bën thuajse çdo politikan që erdhi në pushtet.

    Ndërsa vitet po ecin e premtimet po mbesin veç të tilla, qytetarët në anën tjetër të zhgënjyer po braktisin në vijimësi vendin. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!