×
  • Lajme
  • Rajon

    Ambasadori rus flet ledhatueshëm për Vuçiçin: “Ai njeri është i qartë dhe definitiv, s’ia kthen shpinën Rusisë”

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 17:42

    Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimeve serbe ndaj sanksioneve ruse, tha ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Boçan Harçenko, në një prononcim për mediat ruse, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Kjo pas një serie artikujsh nëpër gazetat ruse se Serbia po kthehet drejt Perëndimit dhe se ka refuzuar ofertën për “bazë ushtarake ruse” breda Serbisë.

    “Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të qëndrojë në politikën e tij kundër çfarëdo sanksionesh ndaj Rusisë”, tha Harçenko.

    “Çështja e presionit dhe përpjekjet për ta detyruar Beogradin që t’ia kthejë shpinën Rusisë ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë, por bazuar në deklarimet e fundit zyrtare të Vuçiç dhe kontakteve personale të mia me të, ka arsye të besojmë që qasja e Vuçiç për të refuzuar masat anti-ruse është shumë stabile dhe parimore dhe këtë ai e thotë”, ka thënë ambasadori rus.

    Në një seri fjalish ledhatuese ndaj presidentit serb, Harçenko pozicionin e Vuçiçit e quajti “të qartë dhe definitiv”.

    “Tjetër gjë është se Perëndimi të gjitha këto i ka reduktuar në kërkesa për rrugën evropiane të Serbisë, në tri sosh, t’i vendosë sanksione Rusisë, ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe t’i reduktojë lidhjet me lidershipin e Republika Srpska’s”, tha ai.

    Këto kërkesa Harçenko i quajti “më të ndjeshmet dhe absolutisht më të papranueshmet për Beogradin”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kohëve të fundit mediat dhe gazetat ruse kanë shpërndarë një sërë artikujsh ku vihet në pikëpyetje lojaliteti serb ndaj Moskës, të cilën opinioni serb, së paku i pavarur, e ka interpretuar si presion të madh ndaj Beogradit.

    Serbia është i vetmi vend në kontinentin evropian që nuk është bashkuar me sanksionet evropian ndaj Rusisë ndonëse si vend kandidat për anëtarësim në BE e ka ligjërisht të obligueshme “të harmonizojë politikat e jashtme dhe ato të sigurisë me Bashkimin Evropian”.

    Përveç asaj të politikës së jashtme, në këtë rast sanksionet, Serbia çalon edhe në harmonizimin e politikave të sigurisë, ku zhvillon marrëdhënie të thelle të ashtuquajtura “ushtarako-teknike” me Rusinë, dhe nga të cilët siguron blerje të konsiderueshme të armëve.

    Javë më parë ambasadori Aleksandër Boçan Harçenko në një prononcim për mediat ruse la të kuptojë se Rusia synon të ndërtojë një bazë ushtarake në Serbi, e cila u diskutua si veçanërisht problematike edhe nga vetë ekspertët e pavarur serbë të sigurisë.

    Aleksandër Vuçiç këtë të mërkure pas takimit me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, përveç adresimeve për çështjet e tensioneve me Kosovën, u deklarua edhe për çështjen në fjalë.

    “Serbia nuk ka nevojë për bazë ushtarake të askujt”, tha ai, derisa përsëriti frazën e tij të kahershme se “Serbia mbetet, si e tillë, ushtarakisht neutrale”.

    Refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që nga 24 shkurti Aleksandër Vuçiç e ka justifikuar në veton ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj Kosovës, çështjen e varësisë nga gazi rus si dhe të ashtuquajturat miqësi tradicionale serbo-ruse. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!