×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori turk në Kosovë: Gylenistët janë sikur ISIS-i

    Reporteri
    15 Korrik 2019 | 23:35

    Në përvjetorin e tretë të përpjekjes për puç në Turqi, autoritetet turke e paralajmëruan Kosovën për, siç thanë, rrezikun e lëvizjes së klerikut fetar turk, Fethullah Gulen.


    Ankaraja e fajëson lëvizjen e tij “Hizmet” për grushtshtetin e dështuar, më 15 korrik të vitit 2016.

    Ajo u kërkoi autoriteteve në Kosovë që të mos lejojnë që kjo strukturë, e cila, siç u tha, fshihet prapa maskave të pafajshme, “t’i përsërisë në Kosovë të këqijat që i ka bërë në Turqi”.

    Ambasadori turk në Kosovë, Çagri Sakar, tha se Kosova nuk duhet të lejojë që kjo organizatë, e cila “nuk është më pak e rrezikshme se (grupi militant) Shteti Islamik, t’i shndërrojë fëmijët kosovarë në armiq të këtij vendi”.

    Ai i bëri këto komente të dielën mbrëma në Prishtinë, përpara shfaqjes së dokumentarit “The Network: Fytyra e Errët e Gylenistëve”, i shërbimit publik turk, TRT World. Shfaqja u organizua nga Shoqata e Turqve të Kosovës në Prishtinë.

    Në një tjetër ceremoni të hënën, në rezidencën e ambasadorit, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, Sakar tha se, deri më tash, nga 20 shtete janë dëbuar 110 persona, nën dyshimet se kanë qenë pjesë e lëvizjes së Gulenit.

    Kosova, në mars të vitit të kaluar, ka arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët kanë punuar në shkollën private Mehmet Akif. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të lëvizjes “Hizmet” të Gulenit.

    Prokuroria interviston numër të madh të të dyshuarve për dëbimin e shtetasve turq
    Por, arrestimi dhe dëbimi i tyre janë tashmë lëndë e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

    Më 15 korrik të vitit 2016, fraksione në kuadër të ushtrisë turke kanë përdorur tanke, avionë luftarakë dhe helikopterë, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

    Mbi 250 njerëz janë vrarë dhe mbi 2,000 janë plagosur në përleshjet që kanë ndodhur atë natë.

    Gulen, ish-aleat i Erdoganit, e ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për puç, përkundër akuzave të Ankarasë./REL/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!