×
  • Lajme
  • Lajme

    Analizë e Reporterit: Prishja e Kryeministrit me të gjithë

    Reporteri
    26 Shkurt 2020 | 17:57

    Kryeministri Albin Kurti publikoi sot një letër-këmbim mes ish-kryeministri Hashim Thaçi, tani president dhe ish sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.


    E quajti shkelje të Kushtetutës dhe e dërgoi në Kuvend duke konsideruar se ka mjaftueshëm material për ta shkarkuar presidenti.

    Për këtë mbajti edhe konferencë për shtyp, por gjithçka u duk se ishte një blof nga ana e kryeministrit, që me gjasë e dinte, por tentoi të provokojë edhe një konflikt të ri me Hashim Thaçin, shkruan Reporteri.

    E Kurti, prej se ka filluar detyrën si Kryeministër, ka krijuar konflikte. Madje me të gjithë.

    Me Thaçin rreth dialogut, siç beri edhe sot, rreth taksës e reciprocitetit. Në fakt me të kishte mospajtime që nga fillet e karrierës politike.

    Me LDK-në, kryeministri Kurti duket qartë që ka mospajtime rreth qasjes ndaj dialogut. Kurti është i gatshëm ta heqë taksën, por do ta vendos reciprocitetin. Kjo gjë po del të jetë kundër kërkesës amerikane.

    Dhe LDK në këtë pikë është në anën e Amerikës. Kryetari i saj, Isa Mustafa, dhe numri dy i Qeverisë, Avdullah Hoti, kanë thënë se dialogu duhet të ndodhë sa më shpejt, dhe se nuk duhet bërë veprime pa u koordinuar me aleatin strategjik.

    Në fakt nuk dihet nëse veprimin e sotëm Kurti e ka bërë në koordinim me partnerin e koalicionit. Ende nuk ka një reagim nga ana e tyre dhe kjo lë të kuptohet se veprimin e ka bërë ‘krye në vete’.

    Prishja tjetër e Kurtit është me opozitën. Ndonëse nuk ka pse qeverisë me ta, Kurti po vazhdon të sillet me arrogancë e mos e perfillë opozitën, e cila është një faktor tejet i rëndësishëm për demokracinë dhe për dialogun me Serbinë në veçanti.

    Kadri Veseli si kreu i PDK-së po e quan gënjeshtar Kurtin, e Ramush Haradinaj nga AAK po e quan mashtrues.

    Por prishja më e madhe e Kurtit është prishja me Amerikën. Vetëm një herë e ka takuar kryeministrin, ambasadori Richard Grenell që tash është i dërguar i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi.

    Grenell prej asaj kohe që është emëruar ka arritur të pajtojë Kosovën e Serbinë në dy raste, në marrëveshjet për linjën ajrore dhe hekurudhat dhe autostradat. Kurti kishte shprehur dyshime për këto marrëveshje, duke thënë se nuk dinte e nuk kishte dhënë autorizime.

    Por kjo është pak në raport me mospajtimet e tyre rreth dialogut. Kurti ka treguar haptas se dëshiron të mos ngutet në këtë temë, por Grenell synon deri në pranverë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka kërkuar heqjen e taksës dhe mosvendosjen e reciprocitetit, si hapa për çeljen e rrugës. Kurti nuk po e dëshiron.

    E për të ilustruar prishjen me Amerikën është Samiti i Mynihut. Kur Kryeministri i vendit shkoi në Munich, ambasadori Grenell ishte aty. I takoi të gjithë nga Kosova, presidentin Thaci dhe numrin dy të Qeverisë, Avdullah Hotin, por nuk e takoi Kurtin. Kryeministri tha se nuk kishte në plan ta takonte Grenellin, por njohësit e politikës dhe mediat e thane të kundërtën.

    Në fakt është edhe paradoksale që njerëzit kryesor që ndërmjetësojnë dialogun ta takojnë zëvendësin, e të mos kenë në plan një takim me kryeministrin.

    Në media, ndërkohë, u raportua se Amerika është shumë e inatosur me veprimet e Kurtit dhe u shtuar se konsiderojnë të padenjë për kryeministër. Sot u raportua se për Kurtin ka ultimatum nga Grenell, që deri të dielën të tregojë gatishmëri për t’i plotësuar kërkesat amerikane. Në të kundërtën, u paralajmëruan masa të tjera. Dhe kjo fjalë e Grenell mund të jetë e papëlqyeshme në Kosovë. /Reporteri/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!