×
Intervista

Anton Quni, LDK: Detyrë e jona t’i thellojmë raportet me Amerikën, çdo destabilizim i vendit në interes të Serbisë e Rusisë

Autor:Blendi Gashi
20 Nëntor 2022 | 19:00

Aleatët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE kanë kërkuar nga Qeveria Kurti vendimin për targat ilegale në veri ta shtyjë për dhjetë muaj, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Policia e Kosovës njoftoi të dielën se vendimi për gjobitjen e vozitësve me targa ilegale shtyhet për një ditë, deri më 22 nëntor.

Ky vendim i fundit vije pak orë para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të cilët do të takohen nesër, takim ky i konfirmuar nga Bashkimi Evropian.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka realizuar një intervistë me nënkryetarin, njëherit deputetin e LDK-së, Anton Quni, i cili ka folur për këtë çështje mjaft të ndjeshme dhe tema të tjera aktuale, si dhe për partinë e tij, LDK-në.

Ndërsa flet për situatën e krijuar me targat në veri, deputeti Quni thotë se e gjitha ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit të Qeverisë me aleatët.

Ai thekson se është detyrë e jona që t’i mirëmbajmë e t’i thellojmë raporte me ShBA-në.

“Qeveria nuk duhet ta sjellë vendin para situatës ku duhet të zgjedh ndërmjet ligjshmërisë dhe aleatëve tanë, sepse ne na duhet edhe ligjshmëria edhe raportet e mira me aleatët e Kosovës”, thotë Quni.

Deputeti i LDK-së, thotë se çdo destabilizim i vendit është në interes të Serbisë dhe Rusisë.

Lexoni të plotë intervistën me nënkryetarin e LDK-së, Anton Quni, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net: 

Reporteri.net: Qeveria e Kosovës po vazhdon ta refuzojë kërkesën SHBA-së dhe BE-së që vendimi për targat ilegale në veri të shtyhet për dhjetë muaj. Cili është vlerësimi juaj për këtë refuzim?

Quni: Para se të flasim për refuzim, duhet të vlerësojmë se kjo situatë ka ardhur si pasoj e mungesës së koordinimi të Qeverisë me aleatët tanë. Ashtu edhe siç e ka potencuar kryetari ynë Abdixhiku, kjo Qeveri nuk duhet ta sjellë vendin para situatës ku duhet të zgjedh ndërmjet ligjshmërisë dhe aleatëve tanë, sepse ne na duhet edhe ligjshmëria edhe raportet e mira me aleatët e Kosovës.

Andaj, unë mendoj se koordinimi me aleatët tanë është pikënisje dhe domosdoshmëri për arritjen e të gjithave.

Sa i dëmton raportet me SHBA-në qasja që po ndjek Qeveria Kurti?

Raportet e Kosovës me ShBA-të janë të ndërtuara nga i pari historik i vendit tonë, Presidenti Rugova, rezultat i të cilave është edhe vetë Republika e Kosovës. Në këtë kontekst, krejtë natyrshëm, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke qenë në hap të sigurt me hapin e Presidentit Rugova, po qëndron për vizitë në ShBA ku po takohet me përfaqësues të lartë të vendit mik të përjetshëm, dhe atë ekskluzivisht për të mirë të shtetit tonë.

Është detyrë e jona që t’i mirëmbajmë e t’i thellojmë këto raporte me ShBA-në, prandaj këtë detyrë po e bën më së miri Abdixhiku, i pari i LDK-së; i pari i themelueses dhe kujdestares së Republikës sonë. Populli ynë me të drejtë është populli më pro amerikan, prandaj të njëjtën gjë duhet ta reflektojë çdo udhëheqës i Kosovës.

A ka rrezik të eskaloi situata në veri të vendit, nëse së shpejti nuk gjendet një zgjidhje për targat? Po kërkesën e SHBA-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë  Serbe si e shihni?

Çdo destabilizim i vendit është në interes të Serbisë dhe Rusisë. Sipas miqve amerikan, një status quo në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi është në interes të Rusisë. Bazuar në këtë dhe në situatën aktuale në kontinent, si pasoj e agresionit Rus në Ukrainë, konsideroj se përmbyllja e marrëveshjes finale me Serbinë, ku përfshihet njohja reciproke, ruajta e integritetit dhe sovranitetit, si dhe respektimi i Kushtetutës sonë, është në interes të Kosovës dhe miqve të saj perëndimorë.

Mendoj se objektivi ynë duhet të jetë dialogu për marrëveshje finale, në të cilën janë të përfshirë ShBA-të, si partner strategjik i Kosovës.

BE ka konfirmuar se Kurti dhe Vuçiq do të takohen nesër? Sa është transparent kryeministri Kurti për dialogun me Serbinë?

Në Kuvendin e Kosovës, tashmë ekziston një Rezolutë, e cila është votuar edhe nga VV, ku nënvizohet se para dhe pas çdo pjesëmarrje në dialog me Serbinë duhet të raportohet në Parlamentin e Kosovës. Ndërkaq, deri me tani, partia në pushtet nuk e ka përfillur një gjë të tillë.

Një pjesë e planit franko-gjerman është bërë publike nga mediet. Cili është vlerësimi juaj për këtë plan? Si duhet të sillet Kosova ndaj këtij propozimi?

Rezervohem të komentoj për çfarëdo dokumenti që nuk e kam parë, dhe nëse të njëjtin tash e sa kohë e ka pushteti, atë nuk e ke ndarë me ne si deputet të Kuvendit të Kosovës.

Si e vlerësoni qeverisjen e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti? Cilat janë tri sukseset që ja njihni dhe tri dështimet sipas jush?

Vetëm kjo Qeveri, mossukseset i shet për sukses. Ndërsa, unë si çdo qytetar i vendit, konsideroj se gjendja e rëndë ekonomike, gjendja e rëndë energjetike, pastaj gjendja e rëndë në shëndetësi e në arsim, janë kryefjala e paaftësisë qeverisëse. Një gjë e ka faktuar ky pushtet; populizmi dëmton rëndë mirëqenien e qytetarëve.

Kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare, ku e shihni LDK, në çfarë përqindje? Do të arrijë të dalë e para pas shumë vitesh?

LDK e udhëhequr nga kryetari Abdixhiku, po dëgjon çdo qytetarë anë e mbanë vendit; po i hap dyert për profesionistët më të mirë që i ka vendi, e po krijon mundësi për ardhje në shprehje të kuadrove brenda subjektit.

LDK dhe mërgata janë në proces të rikthimit të marrëdhënies së tyre natyrale; bashkë, si në kohën e Presidentit Rugova. LDK po e ndërton platformën qeverisëse “Lidhja për të ardhmen”, në kuadër të secilës i ka angazhuar 28 departamente, ku janë të përfshirë me dhjetëra profesionistë në secilin departament, si dhe shumë angazhime të tjera. Ne e kemi rritur nivelin e përgjegjësisë, mirënjohjes, punës dhe angazhimit tonë të përditshëm, kësisoj objektivi ynë është që LDK të kthehet pozitën e saj origjinale.

Për fund, me çfarë note e vlerësoni opozitarizmin e LDK-së në Kuvend? Po bën apo jo mjaftueshëm sipas jush?

Kultura politike e LDK-së është e tillë që opozitarizmin nuk e fokuson vetëm në Kritika, por edhe në propozime për zgjidhje të çfarëdo problem që është në interes të qytetarëve. Ndërsa, sa i përket interest nacional, LDK tashmë e ka dëshmuar se kurrë nuk bën opozitë. Kurrë. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!