Gazetarja Arbana Xhara, ka reaguar pasi shumë fotografi të saj janë publikuar në rrjete sociale, pasi ish-bashkëshorti i saj Andin Lokaj, të dielën në një komentim futbolli e quajti “hajvan” kryeministrin Albin Kurti.
Në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe lajme se “Xhara ishte rrahur nga Andin Lokaj”, e Xharra thotë se ky ishte linçim nga përkrahësit e Albin Kurtit.
Ajo thotë se “shpifjen se Andini më ka rrahur e kanë shpërndarë fillimisht anëtarë të VV-së, dhe kjo fushatë u ka shkuar për shtati ekstremistëve fetarë”.
“Unë personalisht jam përballur vite më parë me propagandën e Vetëvendosjes dhe mbështetësve të tyre ekstremistë islamistë, të cilët përdorën mediat e tyre për të më sulmuar dhe denigruar. Shpifjen se Andini më ka rrahur e kanë shpërndarë fillimisht anëtarë të VV-së, dhe kjo fushatë u ka shkuar për shtati ekstremistëve fetarë”, ka shkruar Xharra.
Tutje, ajo ka thënë se Lokaj nuk paguhet me paratë e taksavepaguesve kosovarë, ndërsa Albin Kurti po.
“Pra, nëse dikush ka ende dyshime për shkallën e linçimeve dhe etiketimeve nga VV-ja, duhet ta kuptojë se ato nuk ndryshojnë nga metodat e grupeve ekstremiste fetare. Në fund të fundit, ata përfaqësojnë të njëjtën ideologji. Andin Lokaj nuk paguhet nga taksat tuaja, ndërsa Albin Kurti, i cili paguhet nga taksat e gjysmë milioni votuesve, i quajti “hajvana” dhe “hajvanate” gjysmën e popullit. Pse s’po revoltoheni që për katër vjet kanë ikur mbi 200 mijë njerëz nga Kosova, nuk ka ardhur asnjë investitor i huaj dhe vendi është izoluar më shumë se kurrë? 250 mjekë e infermierë po e lënë Kosovën çdo vit, ndërsa me qindra miliona euro shpenzohen për t’u shëruar në Beograd, Shkup e Stamboll”, ka shkruar Xharra në Facebook.