×
  • Lajme
  • Lajme

    Ardian Gjini konfirmon se katër viktima të aksidentit në Kroaci janë nga Gjakova

    Reporteri
    25 Korrik 2021 | 22:38

    Gjakova është ndër komunat më të prekura nga tragjedia që ndodhi në Kroaci.


    Kryetari i kësaj komune Ardian Gjini ka thënë se Gjakova është goditur rëndë nga ky aksident.

    “Gjakova e ka pësuar keq. Është tepër e rëndë të mendojnë se si ndihen familjet e viktimave. Janë katër viktima nga Gjakova. Pos bashkë vozitësit që është konfirmuar më herët se ka ndërruar jetë në këtë tragjedi, kemi edhe katër viktima tjera. Kemi një nënë dhe një vajzë nga fshati Devë, dhe një tjetër grua nga fshati Lipovec”, ka thënë Gjini në RTV Dukagjini.

    I pari i Gjakovës thotë se sonte janë mbledhur të gjitha strukturat për të parë se si do të vepruar tutje.

    Ai thotë se janë të gatshëm të ndihmojnë të gjitha familjet e viktimave në këto momente të vështira.

    Gjini thotë se ka pasur takime edhe me zyrtarët e qeverisë, të cilët thotë se kanë ardhur me emrat e viktimave me ç’rast edhe janë njoftuar familjarët.

    “Tani kemi disa të panjohura pasi disa nga viktimat janë qytetare të Gjakovës por me prejardhje nga komunat tjera. Do të shohim se si do të kryhen procedurat e varrimit për ata që tashmë kanë ndërruar jetë fatkeqësisht”, deklaroi ndër të tjera Ardian Gjini.

    Ndryshe, Gazeta Online ‘Reporteri.net’, gjatë ditës së diel ka raportuar lidhur me identitetin e viktimave.

    Burimet e Gazetës Reporteri bënë të ditur se tri viktima të gjinisë femërore dhe një i gjinisë mashkullore  që kanë humbur jetën në aksidentin e rëndë në Slavonka Brod në Kroaci, janë nga komuna e Gjakovës.

    Ndërkohë, tashmë është konfirmuar edhe nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifaj, se dy viktima tjera janë nga kjo komunë.

    Deri më tani nuk dihet edhe për identitetin e katër viktimave tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!