×
Intervista

Ariana Musliu-Shoshi, PDK: Pa SHBA-në dhe aleatët tjerë, Qeveria Kurti e ka të vështirë ta mbrojë shtetin e Kosovës

Autor:Blendi Gashi
06 Nëntor 2022 | 21:12

“Nuk duhet të harrojmë se interes i yni është të ruajmë miqësinë me aleatët tanë strategjik, në veçanti SHBA-të. Pa përkrahjen e tyre vështirë që qeveria Kurti e ka fuqinë ta mbrojë e ta mbaj shtetin e Kosovës së ekzistuari”. Kështu thotë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Në këtë intervistë ajo flet edhe për propozimin franko-gjerman, për mos raportimin e Kurtit në Kuvend, si dhe për çështjen e mosliberalizimit të vizave.

Lexoni të plotë intervistën me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”:

Reporteri.net: Kryeministri Kurti e ka shtyrë deri në prill vendimin për targat. Ka vepruar drejt apo jo? Si e keni parë?

Musliu-Shoshi: Nuk duhet të harrojmë se interes i yni është të ruajmë miqësinë me aleatët tanë strategjik, në veçanti SHBA-të. Dëshpërimi i madh i miqve na dërgon vetëm pas në procese. Qeveria Kurti duhet të ketë parasysh zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon dhe më gjerë dhe të fuqizojë edhe më tej mbështetjen nga aleatët. Pa përkrahjen e tyre vështirë që qeveria Kurti e ka fuqinë ta mbrojë e ta mbaj shtetin e Kosovës së ekzistuari. Pra, ne jemi pro ligjshmërisë, respektimit të Kushtetutës e ruajtjes së sovranitetit të vendit por jemi edhe pro respektimit të kërkesës së aleatëve.

SHBA dhe BE kanë reaguar duke thënë se Kurti nuk i dëgjoi që vendimi të shtyhet siç kanë kërkuar deri në dhjetor? A po rrezikohen marrëdhëniet me Amerikën?

Në moment kur një qeveri e sjellë punën deri në pikën ku shtetet aleate, ato që kanë mundësuar shtetësinë, duhet të adresojnë një kërkesë të tillë, tregon që si qeveri ke dështuar bashkëpunimin dhe komunikimi me shtetet mike. Duhet të punosh që përmes qeverisjes së brendshme dhe bashkëpunimit me aleatet ta mbrosh edhe ligjshmërinë por edhe miqësinë.

A e keni parë propozimin franko-gjerman të cilin Escobar ka deklaruar se SHBA e mbështet edhe nëse brenda saj nuk është njohja reciproke? Ç’mendim keni ju për këtë?

Se një propozim i tille ekziston, kjo është konfirmuar nga zyrtarët më të lartë evropian dhe nuk ka mohim nga zyrtarët vendor. Personalisht nuk e kam parë e as kërkuar ta shoh sepse mendoj që është detyrë e Kryeministrit që të jetë transparent me deputetët sepse përderisa duhet edhe vota e opozitës për një marrëveshje të tillë duhet edhe komunikim e njoftim më i sinqert në mënyrë që të ketë mbështetjen.

A duhet të raportojë Kurti në Kuvend për propozimin franko-gjerman dhe për dialogun Kosovë-Serbi? A do të bëni si parti kërkesë që kryeministri të raportojë?

Personalisht, më datë 25 tetor i kam kërkuar që të raportoj në Kuvend të Kosovës lidhur me propozimin franko-gjerman.

Presidentja Osmani ka deklaruar se pret heqjen e vizavederi në dhjetor duke mos u kushtëzuar meETIAS. A pritni ju që sivjet të liberalizohen vizat?

Deri më tani kemi vetëm takime të grupeve punuese të cilat janë më shumë të karakterit teknik dhe jo shumë përmbajtësor sa i përket vendimit për liberalizim të vizave. Nga takimi i radhës pres rekomandime pozitive për vendin tonë pasi që ne ka kohë që i kemi plotësuar kushtet dhe meritojmë të të kemi liberalizim të vizave. Pres dhe dua të besoj që qytetarët tanë nuk do të tradhtohen dhe zhgënjehen prapë nga Evropa sa i përket lëvizjes së lirë. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!