×
  • Lajme
  • Lajme / Aksioni i Prokurorisë

    Arrestohen pesë persona të dyshuar për mashtrim, njëri nga ta zyrtar i Shërbimit Korrektues

    Reporteri
    24 Korrik 2024 | 13:37
    Foto ilustrim

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kryer një aksion në pesë lokacione në Prishtinë, Kamenicë dhe Vitisë, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për mashtrim – njëri nga ta zyrtar i Shërbimit Korrektues, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se të dyshuarit B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave.

    Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse.

    “Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”, thuhet në njoftim.

    Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të njëjtit të ndalohen për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrimi’.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!