Arrestohen dy persona që vodhën një pikë karburanti dhe i zhdukën provat

Policia në Gjakovë ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se të armatosur dhe maskuar kanë grabitur në një pompë derivatesh.


Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

“Progresi i hetimit policor për këto raste ka rezultuar me ndërmarrjen operacioneve të bastisjes dhe në këtë rast policia ka arrestuar dy të dyshuar, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit në grup kanë vepruar në rastin e grabitjes së armatosur e ndodhur më datë 17.01.2021 rreth orës 05:30 të mengjesit, ku dy (2) të dyshuar të armatosur dhe të maskuar kanë grabit punëtorin në një pikë karburantesh në fshatin Shishman, dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur”, ka deklaruar Xhurkaj.

Të dyshuarit pas grabitjes kanë tentuar t’i djegin rrobat që kishin pasur veshur gjatë grabitjes, për të zhdukur provat.

“Të dyshuarit menjëherë pas grabitjes, në një fshat afër Gjakovës kishin tentuar të djegin rrobat të cilat i kishin pasur veshur në momentin e kryerjes së veprës me qëllim zhdukjen e provave. Të arrestuar për rastin e grabitjes janë: F.Z. dl. 13.09.1994 dhe S.A.dl. 29.09.1992”, ka njoftuar Policia.

“Të dyshuarit pas arrestimit janë shoqëruar për në Stacionin Policor të Gjakovës, ku gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës kanë pranuar kryerjen e veprës penale. Të njëjtit me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetimet për lidhshmërinë e tyre me ndonjë vepër tjetër penale po vazhdojnë nga Sektori I Hetimeve te Stacionit Policor Gjakove”, ka theksuar Policia,