×
  • Lajme
  • Lajme

    Autolarjet në Prishtinë rrisin çmimet, autoriteti i konkurrencës nis hetimet

    Reporteri
    15 Shkurt 2020 | 11:35

    Autolarjeve në Komunën e Prishtinës, kanë vendosur që ta rrisin çmimin për larjen e automjeteve për një euro. Me këtë rritje nuk po pajtohen qytetaret e kryeqytetit. Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet lidhur me rritjen e çmimeve.


    Kompanitë e autolarjeve në komunën e Prishtinës kanë vendosur t’i rrisin çmimet për larjen e automjeteve për një euro. Derisa çmimi për larjen e automjeteve ka filluar nga 2 euro tash me rritjen e çmimeve është bërë 3 euro.

    Bedri Berisha, qytetar nga Prishtina, e konsideron rritje të pa kuptimshme, pasi sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur diçka e tillë.

    Ndonëse sipas tij, nuk është problem çmimi prej një euro, por se kjo rritje ka qenë e papara lajmëruar.

    “Deri më tani të gjitha autolarjet e kanë pasur çmimin 2 euro, varësisht prej shërbimit që ke kërkuar, ka pas edhe nga 3 euro. Mirëpo, është e pakuptueshme pse të gjitha autolarjet i kanë rritë çmimet përnjëherë. Nuk është problem çmimi. Kur i kam dhanë 2 euro, nuk është problem i dha edhe 3. Por është dashur që me pas naj paralajmërim”, u shprehet Berisha.

    Pronarët e disa autolarjeve në kryeqytet e kanë arsyetuar rritjen e çmimit me shpenzimet që ata kanë gjatë sezonës së dimrit.

    Nga çmimi prej 2 euro në 3 euro, për larjen e automjeteve e ka ngritur edhe autolarja “Meritoni”, që ndodhet në lagjen Pejton të Prishtinës.

    Për këtë, pronari i kësaj kompanie, Meriton Lahu, tha për Gazetën Insajderi, se këtë vendim e ka marrë pasi që të gjitha kompanitë e tjera kanë vepruar njëjtë.

    “Unë çmimin e kam ngritur për një euro. Nuk është qe veç unë i kam rritë çmimet, këta e kanë ba krejt autolarjet. Nuk e di se si janë marrë vesh, unë veç kam dëgjuar, mandej edhe unë kam vepruar njëjtë, Por nuk besoj që është ndonjë problem i madh ky. Ata që vijnë edhe paguajnë 2 euro, munden edhe 3, nuk është problem ky”, thotë Meriton Lahu.

    Ai gjithashtu thotë se kjo rritje është bërë për shkak të stinës së dimrit, ku përdoret edhe më shumë uji i nxehtë.

    “Ma merr mendja që kjo rritje është bë për shkak të stinës së dimrit. Normal, që ka shpenzime ma shumë, sepse përdoret ujë i nxehtë”, tha Lahu.

    Edhe pronari i Autolarjes “Valoni” që ndodhet në Prishtinë te rreth i madh, e pati të njëjtin arsyetim për rritje e çmimeve.

    “Po zakonisht dimrit i rrisin qashtu çmimet. Për besë nuk e di po zakonisht dimrit i rrisin çmimet, prej vjeshtës kur ja nis me u ftohë koha. Prej 1 euro, 2 euro rriten zakonisht. Veç për shkak të ftohtit rriten çmimet, sepse shumica e autolarjeve i lajnë veturat me ujë te nxehtë”.

    “Ka shpenzime se sepse makinat janë me naftë edhe nuk ja vlen me punu për tri euro. Unë për veti kam pas autolarje edhe kurrë si kam ndryshu çmimet. Tash kam veç tepi larje”, shprehet ai.

    Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, në nenin 4 thotë se janë të ndaluara të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, gjithashtu edhe vendimet e marrura ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. Zyra për informim e këtij autoriteti thanë se AKK ka caktuar një grup punues për të vlerësuar nëse kjo rritje mund të bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

    “Ofrimi i shërbimeve të autolarjes është produkt/shërbim homogjen, që i bie se është produkt i zëvendësueshëm, pra shërbim që mund të merret lehtësisht në pjesë të tjera të qytetit me çmime të ndryshme. Pavarësisht kësaj, AKK është duke e vlerësuar nëse këto sjellje të këtyre operatorëve mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe ka caktuar një grup punues, për rastin ne fjale”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

    Tutje, në përgjigjen e AKK-së thuhet se duhet të bëhet përcaktimi i tregut përkatës që nënkupton tregun e produktit dhe tregun gjeografik, që në rastin konkret është tërë komuna e Prishtinës.

    “Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është institucion i pavarur në kryerjen e mandatit të tij, që angazhohet për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në kuadër ta kësaj, fillimisht AKK bën edhe përcaktimin e tregut përkatës, që nënkupton tregun e produktit dhe tregun gjeografik, qe ne rastin konkret është tëre Komuna e Prishtinës, si dhe vlerëson edhe interesin publik të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

    Në fund, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës inkurajon operatorët ekonomik që të bëjnë politikë afaristë të pavarur, përfshirë edhe përcaktimin e çmimeve të produktit/shërbimit.

    “Ju njoftojmë se AKK vepron sipas detyrës zyrtare ex-officio dhe sipas paraqitësit të iniciativës. Autoriteti në vazhdimësi bënë monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave nga tregjet, e që sipas zhvillimit procedural të AKK-së, këtë fazë e quajmë Shqyrtim Paraprak/Hetim Preliminar, gjate se cilës e bëjmë edhe vlerësimin nëse kemi te bëjmë me shkelje qe bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. AKK i inkurajon të gjithë operatorët ekonomik që të bëjnë politikë afaristë të pavarur, përfshirë edhe përcaktimin e çmimeve të produktit/shërbimit”, përfundon përgjigja e AKK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!