×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati Arianit Koci për krimin në Gllogjan: Hetuesia e ka humbur momentumin

    Reporteri
    04 Dhjetor 2021 | 14:55

    Avokati Arianit Koci, ka thënë se hetuesia e ka humbur momentumin lidhur me zbulimin e autorit të krimit në Gllogjan.

    Koci ka thënë se ditën e parë pas krimit gjurmët janë të freskëta dhe se për këtë arsye, ai ka insistuar që të bllokohet tërësisht rrafshi i Dukagjinit, menjëherë pas sulmit.

    “Kaloi java dhe ende nuk ka informata për vrasësin/it në Gllogjan. Hetuesia e ka humbë momentumin. Ditën e parë pas krimit, gjurmët janë të freskëta. Rasti është “i nxehtë” – siç quhet në zhargon kriminalistik. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kam insistuar që të bllokohet krejt Rrafshi i Dukagjinit menjëherë pas sulmit, të bëhet regjistrimi i çdo veture që qarkullon dhe të shtohet kontrolla kufitare”, ka shkruar Koci në Facebook.

    Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme lidhur me këtë ngjarje, mund të konkludohet se në vrasje ka marrë pjesë më shumë se një person dhe se ka pasur një plan të detajuar për sulm e po ashtu për ikje nga vendi i ngjarjes.

    “Me përvojën që kam – më duhen 3 persona nga inteligjenca e policisë, po aq nga FSK dhe AKI (ka individ shumë të aftë) – resurset informative të shetit, si dhe përdorimi brutal i mjeteve të lejuara me ligj, lidhur me hetimin e rastit. Brenda 10 ditëve, informatat bazike lidhur me kryerësit e këtij krimi, do të diheshin. Ky krim duhet patjetër të zbulohet. Sa më shpejtë. Kriminelëve duhet t’u dërgohet porosi, se askush nuk mund të kryej krime të tilla në Kosovë, pa u zbuluar dhe dënuar ashpër. Përndryshe, nuk ka asgjë të keqe nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë, me përvojë në hetime, apo edhe nga struktura hetuese të shteteve tjera”, ka shkruar Koci.

    Tre persona janë vrarë më 26 nëntor në fshatin Gllogjan të Deçanit, pasi autobusi i cili po barte nxënës nga Gjakova është sulmuar me kallashnikov nga një person i maskuar.

    Të vrarë janë shoferi i autobusit nga Gjakova dhe dy nxënës të shkollave të mesme nga Gllogjani, derisa një nxënës tjetër është plagosur.

    Policia ka bërë të ditur se është duke hetuar disa pista, derisa Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që ofron informacione që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!