×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i njohur kosovar thotë se AKI-ja duhet të ketë informata për çdo lëvizje në territorin e Kosovës

    Reporteri
    09 Gusht 2020 | 13:17

    Avokati i njohur, Arianit Koci, thotë se futja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, ka bërë që të mësohet se KFOR-i nuk po tregon respekt ndaj institucioneve të Kosovës, që t’i informojë ato për patrullimet e përbashkëta përgjatë vijës kufitare dhe se Policia, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nuk po i kryejnë detyrat e tyre.


    Koci, në një postim në Facebook, ka shkruar se është krejtësisht legjitime që organet kompetente të Kosovës të marrin informata për lëvizjet e forcave serbe.

    “KFOR-i, së bashku me xhandarmërinë serbe, qe 12 vjet patrullojnë së bashku përgjatë një pjese të vijës kufitare Kosovë-Serbi. Forcat serbe madje hyjnë aq thellë brenda territorit tonë, saqë edhe kamerat e një restoranti në Kosovë i xhirojnë. Çka mësuam nga kjo ngjarje: 1. KFOR-i nuk po e tregon respektin e as kurtoazinë elementare, që së paku t’i informojë organet e sigurisë kosovare. 2. Organet e sigurisë (Polici, AKI dhe FSK), nuk po i kryejnë detyrat e veta. Derisa KFOR-in, ligjërisht nuk munden, dhe nuk duhet ta përcjellin, është krejt legjitime që organet tona kompetente, të marrin informata për lëvizjet e forcave serbe brenda territorit të Kosovës – edhe nëse janë së bashku me KFOR-in”, ka shkruar Koci.

    Ai thotë se tash e tutje duhet të mbahen kontakte të rregullta me KFOR-in, që të paktën udhëheqësit shtetërorë të jenë të informuar për këto lëvizje.

    “Dje, të gjithë ne e kishim ndier vetën të lehtësuar po të dilte Presidenti apo Kryeministri e të thoshin se: ‘Çdo gjë është nën kontroll. Jemi të informuar … ‘. Organet e sigurisë, e posaçërisht AKI, duhet urgjentisht, nëse nuk e ka bërë deri me tani, ta rekrutojë një apo më shumë individë që jetojnë në brezin kufitar, në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë informata për inkurzionet e ushtrisë serbe. Kjo është krejt legjitime – madje edhe obligim ligjor për AKI-në”, ka thënë Koci.

    Për këtë, ka reaguar sot ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, me herët edhe kryeministri Avdullah Hoti e liderë tjerë politikë e institucional. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është ndër të vetmit që ende nuk ka folur për këtë incident në kufirin Kosovë – Serbi. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!