×
  • Lajme
  • Lajme

    Bajrami: Me vendimet e djeshme, Vetëvendosja tregoi se është tjetër nga premtimet që e sollën në pushtet

    Reporteri
    22 Prill 2021 | 17:49

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim dje rreth shtesave për pensionet nën vlerën 100 euro, vendim ky i cili është kritikuar pasi që shtesat kanë qenë më të larta në qeverinë e kaluar, ku pensionistët me pensione nën 100 euro, kanë marrë nga 120 euro në muaj (30 euro shtesë), ndërsa tani do të marrin 100 euro (10 euro shtesë).


    Për vendimet e djeshme të qeverisë ka folur edhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila në një prononcim për Periskopin ka thënë se parullat e Vetëvendosjes janë në kundërshtim të plotë me vendimet e Qeverisë së VV-së.

    “Në pikun e pandemisë, Qeveria Kurti uli mbështetjen për familjet në asistencë sociale, të cilat janë 26 mijë e 768 sosh, nga 100% në 30% shtesë. Në pikun e pandemisë, Qeveria Kurti uli shtesat për stafin shëndetësorë, kurrë nuk kemi pasur më shumë të infektuar. Parollat e VV-së janë në kundërshtim të plotë me vendimet e qeverisë së VV-së”, ka thënë Bajrami.

    Tutje, ajo ka thënë se përkundër faktit që LVV-ja erdhi në pushtet me kartën e barazisë sociale dhe të luftës kundër varfërisë, vendimet e djeshme të Qeverisë kanë treguar diçka tjetër.

    “Vendimet e djeshme tregojnë se VV-ja tjerë janë dhe tjerë hiqen për më tepër tregojnë se ata nuk e kanë hallin e qytetarëve të varfër të vendit. Ajo për të cilën brengoset më shumë LDK-ja është trajtimi që qeveria po i bën sektorit privat. E mbyll ekonominë për dy jave, mbyllja shkaktoi dhjetëra miliona humbje, 30 mijë qytetarë vetëm për një vikend ikën nga Kosova për në Shqipëri dhe milionat e tyre u shpenzuan atje. Duke mos harruar faktin se pandemi ka edhe në Shqipëri, për më tepër ka edhe fushatë elektorale në të cilën në mënyrë aktive është angazhuar Qeveria Kurti”, ka thënë ish-ministrja Bajrami.

    Ajo ka kritikuar qeverisjen aktuale edhe për shfuqizimin e vendimit të datës 14.01.2021 me numër 06/58, duke thënë se kjo krijon pasoja për bizneset dhe qytetarët.

    “Fondi i rimëkëmbjes ekonomike i buxhetuar në Ligjin e Buxhetit të vitit 2021 (ligj ky i votuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje), prej 222.4 milionë eurove është shpërndarë nëpër sektorë dhe kategori përmes këtij vendimi. Ky vendim ka krijuar obligime dhe pritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. Ndarja e 6 milion eurove për të kompensuar dëmet nga mbyllja e fundit e ekonomisë është shumë qesharake, mos të flasim këtu për kriteret dhe procedurat dhe kohën që do të merr kjo mbështetje. Sipas Shoqatës së Gastronomëve llogaritet që janë 8 mijë biznese aktive vetëm në gastronomi. 6 milion euro për 8 mijë biznese, ku janë sektorët e tjerë që operojnë në qendra tregtare, operatorët ekonomik që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun e kafshëve veturave etj”, ka përfunduar Bajrami.

    Kujtojmë se me vendimin e djeshëm të Qeverisë për ndarjen e një fondi prej 20 milionë euro, vetëm 6 milion prej tyre do të shkojnë për gastronominë, qendrat tregtare të mbyllura, fitneset e palestrat dhe operatorët ekonomik të trafikut ndër-urban.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!