×
  • Lajme
  • Lajme

    Banorët e Karaçevës thirrje kryeministrit Kurti: Ejani në brezin kufitar, na mbroni tokat tona

    Reporteri
    23 Shkurt 2020 | 17:15

    Edhe 20 vjet pas luftës, Kosova po vazhdon të ketë problem me territor. Në fshatin Karaçevë të Kamenicës shpesh shihen edhe xhandarmëria serbe.


    KFOR-i ka vendosur tabelat për shënimin e kufirit të përkohshëm të Kosovës, në këtë fshat, por karaçevasit po e kundërshtojnë duke thënë se po u humbin tokat e tyre.

    Banorët e Karaçevës thonë se të shqetësimet e ngritura nga ta për vite kanë hasur në vesh të shurdhër nga të gjitha ish-qeveritë, andaj shpresojnë që qeveria e re do t’iu dalë në ndihmë.

    Selver Lenjani kryetar i këtij fshati thotë se edhe kryeministrin e ri, Albin Kurti e kanë njoftuar për gjendjen dhe problemet me të cilat përballen, dhe nëse nuk lëvizet diç banorët do të vazhdojnë të largohen.

    “Qeveria e re është e njoftuar zyrtarisht për të gjitha problemet që ballafaqohen banorët e brezit kufitar. Presim që kryeministrit Kurti do të merret me çështjen e brezit kufitar të Karaçevës, pra që të mos lejoi copëtimin e saj, në të kundërtën do të zbarzet fshati nga banorët”, thotë Lenjani për Reporteri.net.

    Ai kërkon që kryeministri Kurti ta vizitojë Karaçevën dhe të njihet nga afër prej banorëve me problemin e tyre.

    “Të vije në vend të ngjarjes që ta sheh me sy të gjithë dokumentacionin që e kemi i cili dokumenton që toka është e jona. Ne shqiptaret nuk kemi pretendime t’i marrim tokat e huaja, por veç tokat tona. Sipas marrëveshjes ushtarake të 9 qershorit të Kumanovës 170 pronarë i humbin tokat e tyre, edhe pse ngastrat kadastrale tregojnë se tatimi për këto toka është paguar në Kamenicë e jo në Vranje. Krejt banorët i kemi edhe hartat që tregojnë se territori është i joni. Por me ato dokumentacione është e pamundur ta bindim faktorin ndërkombëtarë. Andaj Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr një rezolutë për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në këtë rast konkretisht të tokave të banorëve të Karaçevës”, thotë Lenjani për Reporteri.net.

    Lenjani trego se kthesa e fshatit Novosellë e deri në hyrje të fshatit Karaçevë është zonë e ndaluar edhe për Policinë e Kosovës si dhe rruga Bajpas (anësore).

    Ai thotë se xhandarmëria serbe vazhdon të hy pa problem në fshatin e tyre, por thotë se po qëndrojnë në shtëpitë e tyre falë qëndrimit atje të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

    “Po mos të ishte KFOR-i dhe Policia e Kosovës do të ishte e pamundur 24 orë të jetohet në Karaçevë”, ka thënë ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!