×
  • Lajme
  • Lajme

    Bastisja në shtëpinë e biznesmenit të dyshuar për ryshfet, Prokuroria: Bajram Gashani nuk u gjet në shtëpinë e tij

    Reporteri
    24 Shtator 2022 | 20:43
    Bajram Gashani, pronar i "BAU Holding"

    Krimet e rënda të Prishtinës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, të mërkurën, në kuadër të aksionit “Brezovica 6” bastisën 11 lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpinë e biznesmenit Bajram Gashani. Aksioni përfundoi me 7 të arrestuar, por në mesin e tyre nuk rezulton të jetë edhe pronari i “BAU Market”. Bajram Gashani nuk u gjet në shtëpinë e tij në momentin kur u bastis.

    Kjo i është konfirmuar Gazetës Online Reporteri.net nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

    Në përgjigjen e tyre, Zyra për Komunikim Publik e kësaj prokurorie nuk kanë treguar nëse kanë kërkuar që ndaj biznesmenit Bajram Gashani të lëshohet një urdhër-arrest, dhe nëse i njëjti mund të konsiderohet se ndodhet në arrati.

    “Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se i dyshuari B.G., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për bastisje lidhur me aksionin “Brezovica”, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij”, thotë Prokuroria e Ferizajt në përgjigjen për Gazetën Online Reporteri.net, duke e injoruar, përkundër insistimit të gazetës, pyetjen nëse pronari i “BAU Holding” është në kërkim nga ana e tyre.

    Bastisja në shtëpinë e biznesmenit Gashani u krye të mërkurën, në vazhdën e aksionit “Brezovica”. Të dyshuarit në këtë rast, 7 prej të cilëve u arrestuan atë ditë, dyshohen se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria, në njoftimin e saj publik, nuk i ka ndarë se kush nga të bastisurit dhe të arrestuarit dyshohet për cilën vepër penale.

    Të arrestuarit tashmë ndodhen në paraburgim. Derisa, në shtëpinë e Bajram Gashanit që nuk u gjet aty gjatë bastisjes, Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar: Një revole me nr serik 54A 040356; 9 fishekë te cal. 45 mm; Dy karikator te revoles; Një kallf i revoles; Gjatë kontrollit te i dyshuari S.S., është gjetur dhe sekuestruar.

    Ndërkohë që në disa media, të mërkurën, gjatë kohës sa po zhvillohej aksioni, ishte raportuar se biznesmeni Gashani ishte arrestuar, por rezulton se i njëjti nuk u gjet në shtëpinë e tij, të paktën sipas Prokurorisë së Shtetit.

    Në lidhje me bastisjen dhe vendndodhjen e biznesmenit, nga kompania e tij, BAU Holding, në kuadër të së cilës operon edhe “BAU Market”, deri më tash nuk janë deklaruar.

    Akuza ndaj Gashabit për shpërlarje të parave në rastin “Toka 2”

    Pronari i “BAU Holding” dhe disa bizneseve tjera, nuk është hera e parë që ka telashe të mëdha me ligjin dhe që del i dyshuar për përfshirje në raste të bujshme penale.

    Bajram Gashani është edhe një nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Toka 2”, për dyshimet për dallaveret me pronat në Çagllavicë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Për këtë rast, akuzohen gjithsej 51 persona, të ndarë në dy aktakuza, dhe ndër ta i akuzuar është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

    Në aktakuzën në fjalë, “Toka 2”, biznesmeni Gashani akuzohet për “shpëlarje të parave”, bashkë me 7 të tjerë që ngarkohen me këtë vepër penale nga Prokuroria e Shtetit. Pjesa tjetër e grupit akuzohen për vepra të tjera penale si “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe vepra të tjera penale.

    Biznesmeni që u bastis dje në aksionin “Brezovica 6”, i akuzuar për shpërlarje të parave në rastin “Toka 2”

    Aktakuza ishte ngritur qysh në vitin 2017, por se ky proces gjyqësor ende nuk ka marrë epilog. Të fundit herë, seanca ishte paraparë të mbahej me 20 korrik të këtij viti, por se kishte dështuar të mbahej për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, gjendej në pushim mjekësor.

    Në tetor të vitit 2017, Gashani, bashkë me 23 të akuzuarit tjerë në rastin “Toka 2”, para gjykatës ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij.

    Ndryshe, gjykimi i rastit “Toka” llogaritet si shembull i dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për shkak të neglizhimit dhe mos përfundimit të procesit gjyqësor i nisur disa vite më parë.

    Komplet grupi, prej 51 të akuzuarve, të ndarë në dy aktakuza dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro duke përvetësuar në mënyrë kriminale pronat shtetërore te personat fizikë.

    Dy të akuzuarve në këtë rast, u është arritur parashkrimi absolut i veprës penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkaku i vonesës në epilogun e gjyqit.

    Paraburgim për të arrestuarit në aksionin “Brezovica 6”

    Gjykata Themelore e Ferizajt, të premten, ua ka caktuar masën e paraburgimit për 1 muaj shtatë të dyshuarve për rastin “Brezovica”, të cilët u arrestuan të mërkurën, gjatë batisjeve në 11 lokacione të ndryshme.

    Për dallim nga Bajram Gashani që nuk u gjet në shtëpinë e tij, 7 të dyshuarit tjerë: Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, u kapen nga policia atë ditë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër shtatë (7) të dyshuarve: B.L., SH.SH., G.B., S.S.1, L.V., G.S., dhe S.S.2, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”, ka njoftuar gjykata.

    I arrestuari Berat Lahu rezulton se është asamblist i LVV’së në Prishtinë, dhe në media është raportuar edhe për një lidhje familjare me Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!