×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Batalioni italian nga Forca Rezervë e NATO-s vendoset në Kosovë

    Reporteri
    05 Dhjetor 2023 | 21:00

    Batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është vendosur sot në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës KFOR, shkruan Reporteri.net.

    Në një njoftim të KFOR-it në Facebook thuhet se misioni i NATO-s vazhdon të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është vendosur në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO/KFOR. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosova”, theksohet në njoftim.

    Në njoftim nuk është bërë e ditur numri i ushtarëve në kuadër të batalionit italian në Kosovë.

    Misioni i SHBA-së në NATO më herët ka bërë të ditur se po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij.

    Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri – me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it – si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

    Në margjina të një takimi të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka përsëritur se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për ta ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye do të diskutojë për shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në rajon.

    “Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, ka thënë Stoltenberg./Reporteri.net

    NATO shqyrton përforcime të përhershme në Kosovë gati 25 vjet pas zbarkimit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!