Baza ajrore taktike e NATO-s, do të inaugurohet sot në Kuçovë, Shqipëri, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur këtë lajm duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm.
“Hapja e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet!”, shkroi Osmani në platformën X.
The opening of the NATO Tactical Air Base in Kuçovë, Albania, marks a significant step in strengthening the Alliance’s presence in the Western Balkans, contributing to enhanced security in our region and beyond.
Where there is NATO, there is peace and stability! pic.twitter.com/rirCfKQABS
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) March 4, 2024
Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
Më herët, Komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, tha se trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj së shpejti do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, tashmë bazë ajrore taktike e NATO-s.
Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.
Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.
Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano./Reporteri.net/.