×
  • Lajme
  • Lajme

    BE flet për Reporterin rreth çështjes së Ambasadës në Jerusalem, kanë një mesazh për Kosovën

    Reporteri
    01 Mars 2021 | 20:37

    Autor: Mirlind Behluli


    Çështja e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka përçarë aleatët e Kosovës. Si kurrë më parë, miqtë e shtetit kosovar janë ndarë në përkrahës dhe kundërshtues të vendimit për lokacionin e ambasadës, shkruan Reporteri.net.


    Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë reaguar kundrejt paralajmërimeve të Qeverisë në detyrë se Prishtina do të hap ambasadën e saj në Jerusalem. Ata e kanë kundërshtuar një hap të tillë.

    Por, këtë vendim e ka mirëpritur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku më i madh i shqiptarëve.

    Sot gjatë ditës u njoftua se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin me ambasadorin e Turqisë në Prishtinë ka thënë se vendndodhja e ambasadës së Kosovës “është një çështje që do të shqyrtohet”.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka pyetur Shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, rreth çështjes së vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe premtimit që Kurti i ka bërë ambasadorit turk.

    Në një përgjigje nga Zyra e Përfaqësuesit të BE-së për “Reporteri.net” thanë se Kosova duhet të sillet në përputhje me synimin e saj për integrim në BE.

    “Kosova e ka identifikuar integrimin në BE si prioritet të strategjik dhe pritet të veprojë në përputhje me këtë angazhim. Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, që fton të gjithë anëtarët e OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe Delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Borellit, Dinka Zivalj, shkruan Reporteri.net.

    Tutje BE ka ritheksuar se pozicioni i këtij institucioni në lidhje me Jerusalemin ka mbetur i pandryshuar.

    Sipas BE-së çështja e statusit të Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet negociatave.

    “BE ka përsëritur vazhdimisht angazhimin e saj të vendosur për një zgjidhje të negociuar dhe të zbatueshme të dy shteteve të ndërtuar mbi parametrat e dakorduara ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare. Në konkluzionet e saj në dhjetor të 2017, Këshilli Evropian – në nivel të Kryetarëve të shtetit dhe qeverive – përsëriti që pozicioni i BE-së mbi Jerusalemin mbetet i pandryshuar. Pozicioni i kahershëm i BE-së është i qartë: duhet gjetur një rrugë nëpërmjet negociatave për të zgjidhur çështjen e statusit të Jerusalemit si kryeqytetit i ardhshëm i dy shteteve dhe aspiratat e të dyja palëve duhet të përmbushen. Çështja e Jerusalemit është një çështje e statusit final”, tha Zivalj për Reporteri.net.

    Kujtojmë që javën që shkoi, Kurti pranoi letra nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në lidhje me vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Por përmbajtja e tyre ishte e ndryshme.

    Përderisa presidenti turk tha se ishte i kënaqur nga deklaratat e Kurtit se do ta rishqyrtonte vendimin për vendndodhjen e ambasadës, Netanyahu në letrën e tij i shkroi se e pret Kurtin në hapjen e ambasadës në Jerusalem.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!