×
  • Lajme
  • Lajme

    BE: Në ditët në vijim, nisim me hapat e parë të zbatimit të marrëveshjes

    Reporteri
    24 Mars 2023 | 23:50
    Bashkimi Evropian. Fotografi ilustruese.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se po punohet drejt fillimit urgjent të implementimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

    Stano tha se, në ditët në vijim, pritet që të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian Udhëheqësit e të 27 shteteve anëtare, institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: “Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre.” Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, ka shkruar Stano në një përgjigje për TV1.

    Peter Stano, zëdhënës në Bashkimin Evropian

    I pyetur për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia, Stano potencoi se besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik.

    Sipas tij, në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar.

    “Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar. Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit”.

    “Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”. Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, thuhet tutje.

    Më 18 mars, në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve, me bazë propozimin evropian.

    Derisa vazhdojnë thirrjet për respektim dhe përmbushje të detyrimeve që propozimi evropian parasheh, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen e arritur. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!