×
  • Lajme
  • Lajme

    Besnik Bislimi lajmërohet sërish pasi u kthye nga Beogradi, i përsëritë krejt çka i tha nga Merdara

    Reporteri
    27 Tetor 2022 | 21:06

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është lajmëruar në Facebook, ku ka folur sërish për rikthimin e tij prapa në Kosovë, pas përpjekjes për të shkuar në Beograd, për të marrë pjesë në dy forume atje. Ai i ka përsëritur të gjitha ato që i tha para gazetarëve në pikën kufitare në Merdare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Bislimi ka thënë se ndalesa ka ndodhur diku rreth 85 km para se të mbërrijmë në Beograd, me arsyetimin se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cënuar, por që sipas tij, arsyeja ka qenë krejt tjetër.

    “Arsyeja pse jemi kthyer është dikund krejt tjetër, sepse ne kemi patur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës. Ju e dini që qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë. Si duket ka patur një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja, versioni i anës tjetër”, ka deklaruar Bislimi.

    Postimi i plotë:

    Sot dhe nesër ka qenë e paraparë të jem pjesë e dy konferencave me rëndësi në Beograd, në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile, ku është dashtë të diskutohet për Kosovën dhe udhëtimit drejt Evropës për rajonin, si dhe në Forumin e Sigurisë së Beogradit, pjesë e një diskutimi për dialogun Kosovë-Serbi. Pra, katër koncepte me rëndësi: marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu.

    Kemi patur të parapara disa takime të tjera dhe invervista për media në Beograd e media të Kosovës atje. Për këtë, ne kemi paraqitur kërkesën në rrugët zyrtare që javën e kaluar dhe ajo ka qenë e aprovuar. Sot, gjithçka ka qenë e rregullt, derisa në një moment të caktuar, na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cënuar, që për ne është një sinjal që Serbia ende nuk është e gatshme që të punojë drejt normalizimit.

    Është absurde që në një konferencë për sigurinë, Serbia të pranojë që:

    1) ka elemente kriminale që duan ta cënojnë sigurinë;

    2) të pranojë që është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit.

    Arsyeja pse jemi kthyer është dikund krejt tjetër, sepse ne kemi patur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës. Ju e dini që qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë. Si duket ka patur një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja, versioni i anës tjetër.

    Ndalesa ka ndodhur diku rreth 85 km para se të mbërrijmë në Beograd. Do të thotë është e palogjikshme që cënimi i sigurisë të konstatohet menjëherë. Kjo ka mundur të ndodhte dhe në kufi, në mënyrë që ne mos ta bënim tërë këtë rrugë, por kjo ka qenë dhe dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim të raporteve me Kosovën.

    Edhe në Merdare ka patur vonesa dhe ka patur deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës meqë nuk qenka paralajmëruar nga organizatorët me kohë, por ne nuk e kemi marrë këtë si provokim, më tepër ka qenë provokim ndaj organizatorëve, mirëpo ata janë kujdesur që kjo të eliminohet menjëherë.

    Ne do të përpiqemi që nesër të kyçemi online në tryezën e diskutimit. Njëkohësisht, i kërkoj falje të gjithë korit diplomatik, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatorëve, që nuk kam mundur të jem atje dhe të tregojmë këndvështrimin tonë për proceset në të cilat ndodhemi. Për ngjarjet e sotme, kemi njoftuar dhe faktorin ndërkombëtar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!