×
  • Lajme
  • Lajme

    BIK-ut i bie ndërmend të reagojë pas dy muajve për komunikatën e Speciales për Thaçin e Veselin

    Reporteri
    11 Gusht 2020 | 15:18

    Pas gati dy muajsh nga dita kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës.

    BIK-u përmes një komunikate drejtuar mediave, konsideron komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë si veprim politik që dëmton vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës dhe kauzën dhe misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën”, thuhet në postimin e BIK-ut.

    BIK-u thotë se ky veprim i Speciales përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë.

    “Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje. E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë”, thuhet në postim.

    Ndryshe, më 24 qershor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

    Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave. Në njoftimin nga Haga thuhet se një gjykatës i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!