×
  • Lajme
  • Lajme

    Bislimi i papërqendruar, njëherë e quan marrëveshje e pastaj dakordësim, teksa raporton për ujdinë për targat

    Reporteri
    06 Dhjetor 2022 | 15:09
    Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme

    Me një mospërputhje të thellë në përzgjedhje të fjalëve, megjithatë, zv/kryeministri dhe kryenegociatori Besnik Bislimi provoi të raportojë në Komisionin për Punë të Jashtme rreth dialogut të Kosovë-Serbi.

    Bislimi fillimisht e nisi raportimin rreth deklarimit të 21 nëntorit të Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, për të cilën tha se një deklarim i tillë “jo domosdoshmërisht dhe jo gjithmonë përfaqëson zhvillimet që kanë ndodhur brenda në tavolinë, dhe jo domosdoshmërisht e plotësojnë kushtin e neutralitetit të palës mediatore”.

    Ndonëse veçanërisht nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje pati shpërthime dhe fyerje ndaj Borellit, Bislimi mendon ndryshe. “Ne kemi qenë të përmbajtur në këtë, parim themelor në negocim është që të mos sulmohet mediatori në qoftë se mbarëvajtja e negociatave është shumë me rëndësi”.

    “Është me rëndësi që të ruhet integriteti i mediatorit. Por, mendoj që punën nuk e kemi bë ne, por e ka bë zoti Borrell vetë me deklaratën e tij, dhe e ka sfiduar neutralitetin e vet haptazi në raport me Kosovën dhe Serbinë. Dhe besoj që një prej arsyeve se pse me datën 21 nuk ka pasur marrëveshje ka qenë ky shkak”, ka thënë Bislimi.

    Jo konstitent në fjalët që përdori, Bislimi njëherë thotë marrëveshje njëherë thotë dakordësim.

    “Më 23 në takim me zotin Lajçak, nëse krahasohen dy tekstet 21-23, e kuptoni se pse nuk është arritur marrëveshje, ose qëllimi ka qenë që të mos arrihet marrëveshja, e pastaj më datën 23 është arritur dakordimi”.

    Për propozimin e ashtuquajtur franko-gjerman, Bislimi tha se përmbajtja e saj është “dakordësuar” të jetë e mbyllur dhe të mos shpërndahet në publik.

    Kosovës nuk i është ofruar opsioni, “a po dëshironi format të mbyllur apo të hapur”, tha Bislimi.

    “Palës kosovare nuk është i ofruar opsioni se a po doni fazën e hapur apo të mbyllur, që pastaj ne të themi të na pëlqejë ky i mbylluri. Plani ka qenë që ose të bisedojmë me këto kondita, ose që ju jeni pala e cila nuk dëshiron të futeni në këtë diskutim. Nuk është aq e thjeshtë”.

    “Dakordimi është që të mos ketë diskutim publik, dhe që të mos ketë hapje ndaj publikut të përmbajtjes së dokumentit. Zoti Kurti i ka ftuar liderët e të trija subjekteve politike, por nuk ka pasur gatishmëri”.

    “Pastaj ka pasur kërkesë të zotit Kurtit dhe Haradinaj, që të paktën ai t’ia përcjell përmbajtjen dy liderëv tjerë të dokumentit, që askush të mos thotë se nuk dihet se çfarë përmbahet në dokument. Dhe zoti Haradinaj nuk ka dalur në publik me përmbajtjen e dokumentit. Edhe zoti Haradinaj dhe zoti Gjini e dinë përmbajtjen e dokumentit”, vazhdoi Bislimi.

    Bislimi, mes tjerash, shprehte i bindur se BE “e kupton dhe e konstaton” që Serbia është pala e cila nuk zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, dhe jo Kosova.

    Këtë, ai e merr për fakt të kryer.

    “Mendoj se konstantja e vetme e këtyre 10 viteve në dialog është kjo diskrepanca e madhe mes gatishmërisë së Serbisë për të nënshkruar marrëveshje dhe gatishmërisë që mos me i zbatu ato. Mendoj që nuk ka kurrëfar dyshimi as brenda BE-së se Serbia krejt angazhimin e saj e stopon në momentin e nënshkruarjes dhe nuk është fort aktive në zbatimin e tyre”.

    “Në korrikun e vitit të kaluar gjatë një punimi dy ditor me BE-në kemi konkluduar se lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është dyfish më e gjatë se lista e zbatimit të marrëveshjev enga ana e Kosovës”.

    “Kjo faktikisht për herë të parë është kur BE konstaton se nëse ka shkelës të marrëveshjes, ky shkelës është Serbia, edhe pse në fakt vetëm një pjesë e marrëveshjeve kërkon zbatim nga Serbia, pjesa më e madhe e atyre kërkon zbatim vetëm për palës së Kosovës”.

    “Edhe mendoj që as marrëveshja më e mirë nuk mundet me pas garancione të forta që e detyron njërën palë të zbatojë ato, për aq kohë sa ajo mendon se nuk i keni shkopin e mjaftuehsëm për ta detyruar palën”.

    “Mendoj se BE nuk ka shkopinj të mjaftueshëm ta detyrojë Serbinë që të jetë konstruktive edhe në negocime edhe në zbatimin e marrëveshje. Këtë nuk e konteston askush as në BE. Por, negocimi bëhet në mirëbesim. Ne si palë kur negocojmë, negocojmë me besim të mirë që do të arrijmë një marrëveshje të mirë dhj të cilkën do ta zbatojmë”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!