×
  • Lajme
  • Lajme / Reagon zv.kryeministri

    Bislimi: Nemanja Radivojeviq – Gandi është i dyshuari kryesor për sulmet në Zveçan

    Reporteri
    30 Nëntor 2024 | 15:34

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke komentuar reagimet e Serbisë dhe të Listës Srpska pas sulmit të mbrëmshëm ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, të cilët pretenduan se s’kanë lidhje me sulmit, ka zbuluar emrin e një serbi që thotë se është dora e djathtë e Milan Radoiçiqit dhe se është i dyshuari për kryesor për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024.

    Bislimi thotë se dora e djathtë e Radoiçiqit është Nemanja Radivojeviq – Gandi, i cili sipas tij është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i tij:

    Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm.

    Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!