×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell: Marrëveshja e Ohrit krijon status-quo të re në dialog, Asociacioni çështje urgjente

    Reporteri
    20 Mars 2023 | 22:47
    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka raportuar ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e takimeve në Ohër, në kuadër të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në një deklarim për media pas këtij raportimi, Borrell ka thënë se marrëveshja e Ohrit krijon një status-quo të re në dialog, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “I kam njoftuar ministrat për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Është arritje e madhe në procesin e normalizimit mes tyre. Krijon një status-quo të re në dialog. Më nuk do të jemi në gjendje të menaxhimit të krizave, shpresoj së paku, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më 27 shkurt”, ka deklaruar Borrell.

    Kryediplomati evropian ka komentuar edhe mosnënshkrimin e marrëveshjes duke thënë se nuk ndodhi për shkaqe ligjore, pa shtjelluar më tepër.

    “Nuk kishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha ai.

    Ai ka thënë se kjo marrëveshje është përfshirë në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne do të përcjellim implementimin e marrëveshjeve. Shtetet anëtare e kanë shprehur përkrahjen”, tha Borrell.

    Sipas tij, disa prej pikave janë më urgjente se tjerat. Këtu listoi themelimin e Asociacionit.

    “Marrëveshjet duhet të përmbushen, me një kalendar të caktuar. Kalendari kërkon që secila palë të bëjë pjesën e vetë. Nuk fillon të ndërtosh shtëpi nga kulmi, por nga gjërat më urgjente. Gjërat më urgjente fillimisht, disa janë shumë urgjente. E thash shumë qartë në aneks, thuhet se Kosova është e përkushtuar që menjëherë të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka disa përkushtime që do të monitorojmë nga afër se si palët i plotësojnë. Gjitha janë pjesë integrale e asaj që është arritur”, theksoi Josep Borrell. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!