×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell pret rezultate pozitive nga takimet e nesërme në Ohër

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 23:37
    Shefi i Politikës së Jashtme të BE'së, Josep Borrell

    Para takimit të nesërm Kurti-Vuçiq, në Ohër, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, kanë darkuar së bashku.

    Në një deklarim për Klan Kosovën pas darkës, Borrell është shprehur se pret që takimi i nesërm do të jetë i suksesshëm, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Le të presim deri nesër, patjetër që pritshmëritë janë pozitive”, tha shkurtimisht Borrell.

    Takimet e para nesër pritet që nisin në ora 10:00 të mëngjesit, ku në agjendë do të jetë aneksi i zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, me bazë propozimin evropian.

    Përfaqësuesi i Lartë, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara dypalëshe me liderët njëri pas tjetrit, të cilat do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Borrell telefonon Blinkenin një ditë para takimit në Ohër: Koha për hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës e Serbisë në BE

    Ndërsa, në një konferencë për media të premten, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevan Pendarovski, Borrell tha se Kosova dhe Serbia tashmë kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e implementimit të Planit evropian, për përmbajtjen e së cilës, Kurti dhe Vuçiq u pajtuan në shkurt.

    Sipas tij, takimi i së shtunës do të shërbejë “për të definuar hapat praktikë që duhet ndjekur për implementim… se çka duhet të bëhet, kur dhe si”.

    “Kemi histori të gjatë të marrëveshjeve që s’janë implementuar kurrë. E kjo duhet të jetë e implementueshme. Duhet të pajtohemi si dhe kur ta implementojmë”, ka thënë ai.

    Vij në Ohër me shpresën që përballem me mundësi unike për Kosovën dhe Serbinë për të lëvizur përpara e për të bërë progres për t’i normalizuar raportet. Në praninë tuaj, theksoj se kjo mundësi duhet të përdoret sepse askush s’përfiton më shumë sesa popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai duke shtuar se vendet e rajonit kanë “mundësi që s’duhet t’i humbin” për rrugën e integrimit evropian. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!