Ish-avokatja e Donald Trump, Alina Habba, i ka thënë presidentit se një tjetër këshilltar i tij kryesor — ish-drejtuesi i “Kennedy Center”, Ric Grenell — nuk e kishte depozituar një donacion prej disa milionë dollarësh që bashkëshorti i saj miliarder, Turhan Mildon, i kishte dhuruar qendrës një vit më parë.
Dhe siç shkruan mediumi amerikan Axios, këtë e konfirmuan katër zyrtarë të lartë të administratës dhe tre persona të brendshëm të informuar mbi këtë çështje.
Por vë në pah ky medium, Grenell i cilësoi deklaratat e Habbas drejtuar Trumpit si “absurde”.
“Nuk kam kërkuar kurrë që asnjë cent të dërgohej diku tjetër me pretekstin se ishte për ‘Kennedy Center’ dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij. Le të sjellë prova për atë që thotë, në vend që të bëjë këto akuza absurde”, citohet të ketë thënë Grenell.
Sipas mediumit në fjalë, kur Habba ngriti fillimisht akuzat kundër Grenellit, ajo tha se shuma totale e kontributit për “Kennedy Center” ishte 17 milionë dollarë, sipas burimeve.
Por, pasi mësoi detajet nga bashkëshorti i saj, ajo tha se shuma e kontributit në fjalë ishte 5,6 milionë dollarë.
Siç theksohet më tej, pasi kreu kontributin e pretenduar, Mildon nuk e verifikoi kurrë nëse ai ishte depozituar.
Ai besonte se pagesa ishte regjistruar sepse trajtohej si një donator VIP në “Kennedy Center”, ku ishte njohur me Habba-n në fund të vitit 2025, para romancës së tyre të shpejtë dhe martesës, thanë burimet.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i administratës theksoi me kujdes se “këto janë vetëm pretendime. Nuk e dimë nëse janë të vërteta. Mund të jetë thjesht një keqkuptim”.
Një tjetër shtoi: “Presidenti nuk dëshiron të merret me këtë. Sigurisht, ai është i shqetësuar. Por nëse ka para të humbura, ky është një problem shumë, shumë i madh”.
Por si erdhi deri te “kulmi i konfliktit”?
Sipas shkrimit në fjalë, mosmarrëveshja lindi nga miqësia mes Grenellit dhe Mildonit, thonë burimet që njohin konfliktin.
Ata kishin “interesa të përbashkëta” në Venezuelë në fillim të vitit 2025, menjëherë pasi Trumpi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Grenell, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Trumpit, po avokonte për normalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me liderin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Ndërsa Mildon, shtetas turk, kishte interesa të gjera biznesi në Venezuelë, të cilat rrezikoheshin nga fushata e presionit të ashpër të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, kundër Maduros.
Dhe Mildon dhe Habba, sipas burimeve, shkruan Axios, e zbuluan çështjen pasi marrëdhënia e tyre e biznesit me Grenellin u përkeqësua; Grenell kishte humbur një betejë të brendshme për pushtet brenda administratës kundër Marco Rubios, e cila kulmoi me arrestimin e Nicolas Maduros nga SHBA-ja më 3 janar dhe dërgimin e tij në Nju-Jork për t’u përballur me akuza për trafik narkotikësh.
Pas kësaj, në qershor, pasuesja e Maduros, Delcy Rodriguez, nxori një urdhër për anulimin e njërit prej kontratave të kompanisë së Mildonit për operimin e impianteve shtetërore të çimentos në Venezuelë, siç raportoi të hënën gazeta “New York Times”.
Një burim i njohur me situatën i tha “Axios”-it gjatë verës se veprimi i saj erdhi pjesërisht si pasojë e presionit nga qeveria amerikane.
Kështu, ndonëse pak muaj më parë, Grenell ishte mik me Mildonin dhe Habba-n, ai mungoi dukshëm në dasmën e tyre luksoze prej 10 milionë dollarësh, ku muajin e kaluar morën pjesë zyrtarë të rrethit të Trumpit, figura me ndikim dhe personalitete të njohura.