×
  • Lajme
  • Botë

    BE-ja prezanton planin për të lehtësuar krizën e energjisë në Europë

    Reporteri
    13 Tetor 2021 | 23:15

    Komisioni Europian ka prezantuar të mërkurën një paketë masash, me qëllim të lehtësimit të krizës me çmime të gazit, të cilat mund të rriten si asnjëherë më parë në Europë.

    Në mesin e propozimeve ka qenë blerja e përbashkët e karburanteve për vendet anëtare të Bashkimit Europian, si dhe zvogëlimi i takasvae.

    Çmimet e energjisë kanë prekur nivele rekorde për arsye të ndryshme, përfshirë kërkesën e madhe për gaz natyror, teksa ekonomitë rimëkëmben nga pandemia e koronavirusit.

    Komisioni Europian ka qenë nën presion për të vepruar mbi krizën e çmimeve.

    Çmimi i gazit është rritur për 250 për qind prej muajit janar.

    Shefja për Energji në Komisionin Europian, Kadri Simson, ka thënë se ekzekutivi i BE-së është duke iu përgjigjur thirrjeve për veprim, duke prezantuar një plan veprimi.

    Ajo u ka bërë thirrje vendeve të bllokut evropian që të shqyrtojnë mundësinë e ndarjes së hyrave emergjente për të mbështetur familjet dhe kompanitë që kanë nevojë për ndihmë.

    “Rritja e çmimeve globale të energjisë përbën shqetësim serioz për BE-në”, ka thënë Simson.

    “Teksa rimëkëmbemi nga pandemia, është e rëndësishme të mbrojmë konsumatorët e cenueshëm dhe të mbështesim kompanitë evropiane”.

    Një nga masat e përmendura në planin e veprimit është që BE-ja do të shqyrtojë mundësinë e blerjes së gazit natyror për të gjitha vendet e bllokut.

    Simson ka thënë se shtetet mund ta blejnë gazin edhe ndaras për të pasur rezerva.

    Mirëpo, sikurse edhe në skemën për të blerë vaksina kundër koronavirusit, pjesëmarrja do të jetë në baza vullnetare.

    Ideja është propozuar nga disa qeveri, përfshirë atë të Spanjës.

    Kriza me energjinë ka vënë në pah varësinë e Europës ndaj Rusisë, si një nga furnizueset më të mëdha të gazit.

    Kritikët kanë akuzuar Rusinë se me qëllim nuk po rrit furnizimet.

    Mirëpo, presidenti rus, Vladimir Putin, ka kundërshtuar të mërkurën supozimin se shteti i tij është duke përdorur energjinë si armë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!