×
  • Lajme
  • Botë

    Biden mirëpret aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për në NATO

    Reporteri
    19 Maj 2022 | 21:57

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden shprehu mbështetjen e tij të palëkundur për aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s teksa u takua me dy liderët e vendeve në Shtëpinë e Bardhë, duke i quajtur ato dy “demokraci të mëdha” dhe “partnerë shumë të aftë.”

    Biden deklaroi se ishte krenar që mirëpriste kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez Sauli Niinisto më 19 maj, për të shënuar këtë moment të rëndësishëm të aplikimit të vendeve, dikur neutrale. Ai ofroi “mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara” për aplikimet e tyre “për t’iu bashkuar aleancës më të fortë dhe më të fuqishme në historinë e botës”.

    Biden shtoi se administrata e tij më 19 maj do të paraqesë në Kongresin Amerikan raportet mbi pranimin e dy vendeve në NATO, ku duhet të miratohet zgjerimi i aleancës.

    “Ato i përmbushin të gjitha kërkesat për t’u bërë pjesë e NATO-s”, tha ai, dhe “të pasurit dy anëtarë të rinj në NATO në veri do të rrisë sigurinë e aleancës tonë. Trupat finlandeze dhe ato suedeze kanë shërbyer krah me krah me forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë, në Afganistan dhe në Irak dhe të dy vendet po punojnë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, me aleatët dhe partnerët e tjerë për të mbështetur popullin trim të Ukrainës, teksa ata mbrojnë lirinë e tyre ndaj pushtimit rus”.

    Përpara se të dorëzonin zyrtarisht aplikimet e tyre më 18 maj, Suedia dhe Finlanda deklaruan se lufta në Ukrainë nxiti vendimin e tyre për të aplikuar për anëtarësim në NATO, zgjerimi i së cilës u citua nga presidenti rus Vladimir Putin si një justifikim për pushtimin e Ukrainës, duke hequr kështu dorë nga neutraliteti i tyre i gjatë.

    “Anëtarët e rinj që i bashkohen NATO-s nuk janë kërcenim për asnjë shtet”, deklaroi Biden duke iu referuar kërkesës së Putin që aleanca e atlantikut verior të mos zgjerohej. “Kurrë nuk ka qenë e tillë”.

    Ndërsa procesi i aplikimeve të dy vendeve pritet të ecë me shpejtësi, ato ende duhet të kapërcejnë kundërshtimin e Turqisë.

    Niinisto deklaroi se Finlanda ishte e hapur ndaj diskutimeve mbi shqetësimet e Turqisë, duke shtuar se vendi ishte gati t’i përkushtohej sigurisë së Ankarasë.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se është kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, për shkak të asaj që ai e quan “mbështetjen e tyre ndaj organizatave terroriste”, duke pretenduar se mbështesin militantët kurdë dhe grupe të tjera që Ankaraja thotë se e kërcënojnë sigurinë e saj kombëtare.

    Më 19 maj, Erdogan ri-përsëriti pozicionin e tij, duke thënë se Turqia “është e vendosur”të bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke e quajtur në veçanti Suedinë “një parajsë për terroristët”.

    Megjithatë, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u shpreh se Uashingtoni është “besimplotë”se shqetësimet e Turqisë mund të tejkalohen.

    “Besojmë se në fund të ditës Finlanda dhe Suedia” do të anëtarësohen në NATO dhe se shqetësimet e Turqisë do të adresohen”, deklaroi Sullivan më 18 maj.

    Vendimi i dy vendeve nordike për t’iu bashkuar NATO-s, shënon një pikë kthese në arkitekturën aktuale të sigurisë evropiane.

    Helsinki zgjodhi të qëndronte neutral në epokën e pasluftës pas dy luftërave me Bashkimin Sovjetik që panë Finlandën të humbte një të dhjetën e territorit të saj, ndërsa Suedia ka qenë tradicionalisht e paanshme në dy shekujt e fundit.

    Si Suedia ashtu edhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe kjo e fundit ndan 1340 kilometra kufi me Rusinë./rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!