Ukrainës i janë harxhuar raketat e sistemit amerikan për mbrojtje ajrore, “Patriot”, duke e lënë atë më të rrezikuar ndaj sulmeve ruse me raketa balistike, i tha të enjten televizionit CNN një burim i afërt me situatën.
Ky zhvillim vjen në kohën e një përplasjeje publike gjithnjë më të ashpër mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ditëve të fundit, Shtëpia e Bardhë njoftoi një marrëveshje shumë të kritikuar për të importuar naftë nga Rusia, duke ia shtuar trysninë Ukrainës për t’i ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës.
Zelensky tha se ndihet i tradhtuar nga marrëveshja e Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe tashmë ka njoftuar se Ukraina do t’i vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Për disa muaj, Zelensky disa herë ka paralajmëruar se Ukrainës po i harxhoheshin raketat e sistemit “Patriot”, të cilat janë njëra nga armët mbrojtëse që mund të rrëzojnë raketa balistike.
Megjithatë, këto raketa janë edhe të shtrenjta, edhe ka mungesë të tyre në nivel global, pasi shtetet i kanë shfrytëzuar rezervat ose janë përpjekur që t’i zgjerojnë ato në kohën e luftës amerikano-izraelite me Iranin.
Burimi i tha televizionit CNN se “pothuajse të gjitha raketat balistike nga sulmi i fundit [i forcave ruse] nuk u penguan për shkak të mungesës së raketave [Patriot]”.
Raketat balistike ruse goditën tre centrale të energjisë në Kiev dhe e vunë në shënjestër infrastrukturën energjetike në Kharkiv gjatë sulmit të kryer natën e deri të mërkurën në mëngjes. Katër njerëz në Kiev u vranë dhe 25 u lënduan atë ditë.
Forca Ajrore e Ukrainës më parë tha se kishte penguar katër raketa balistike ruse gjatë sulmit, gjë që lë të kuptohet se i kishte përdorur raketat e fundit “Patriot” që i kishte.