×
  • Lajme
  • Botë

    Dimri i ftohtë afër, Rusia thotë se do ta vazhdojë luftën në Ukrainë pavarësisht motit

    Reporteri
    17 Nëntor 2022 | 16:53

    Moska do ta vazhdojë luftën në Ukrainë pavarësisht temperaturave të ulëta e kushteve të dobëta atmosferike që kanë goditur vendin, ka thënë një zëdhënës i Kremlinit para gazetarëve të enjten, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    I pyetur lidhur me miliona ukrainas që kanë mbetur pa rrymë pas sulmeve të shumta raketore këtë javë, si dhe me pritshmëritë se do të ulen temperaturat, zëdhënësi Dmitry Peskov, tha se sulmi i tyre nuk varet nga kushtet e motit.

    “‘Operacioni special ushtarak’ vazhdon, dhe vazhdimësia e tij nuk varet nga kushtet atmosferike”, citohet të ketë thënë ai, raporton CNN.

    Sipas Peskov, autoritetet e Kievit nuk janë të gatshme të negociojnë. Dhe nëse janë, ata duan negociata “publike”, të cilat Moska nuk i pranon.

    “Është e vështirë të mbahen negociata publike, dhe aq më tepër në një situatë të tillë”, tha Peskov.

    I pyetur më tej se pse miliona civilë po vuajnë pa energji elektrike dhe ngrohje, Peskov ia la fajin “mosgatishmërisë së palës ukrainase për të zgjidhur problemet, për të hyrë në negociata”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë vazhdimisht se Ukraina ishte e gatshme të angazhohej në bisedime diplomatike me rusët. Por, ai nënshkroi një dekret në fillim të tetorit duke përjashtuar çdo negociatë me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Ky dekret erdhi si përgjigje ndaj aneksimit të vetëshpallur nga Rusia të territoreve në Ukrainën lindore pas referendumeve të rreme atje.

    Lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e dhjetë të saj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!