Forcat e Vladimir Putinit janë stërvitur për përdorimin e armëve bërthamore në fazat e hershme të konfliktit me një fuqi botërore, thuhej në dokumentet e rrjedhura nga ushtria ruse. Stërvitjet kanë përfshirë edhe skenarin e pushtimit të mundshëm të Rusisë nga Kina.
Dokumentet sekrete, të cilat i ka parë edhe revista e njohur “Financial Times”, përshkruajnë kushtet minimale për përdorimin e armëve bërthamore. Këto kushte janë dukshëm më të ulëta sesa është pranuar ndonjëherë publikisht nga Rusia, vlerësojnë ekspertët që kanë analizuar dhe verifikuar dokumentet sekrete, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Janë gjithsej 29 dokumente të ushtrisë ruse, të cilat janë hartuar mes viteve 2008 dhe 2014. Në këto dokumente janë përfshirë skenarët për lojërat ushtarake dhe prezantime për oficerët e marinës. Ata kanë mësuar për parimet e përdorimit të armëve bërthamore. Kriteret për përdorimin e mundshëm të këtyre armëve nisin me pushtimin e mundshëm të territorit rus e deri te shkaktarët më specifikë, siç është shkatërrimi i 20 për qind të nëndetëseve strategjike të cilat janë të armatosura me raketa balistike.
“Kjo është hera e parë që shohim dokumente të tilla në domenin publik”, thotë Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës ruse “Carnegie” për Euroazi në Berlin.
“Ato tregojnë se pragu operacional për përdorimin e armëve bërthamore është mjaft i ulët nëse rezultati i dëshiruar nuk mund të arrihet me mjete konvencionale”, thotë ai.
Armët taktike bërthamore të Rusisë, të cilat mund të lëshohen nga toka, deti ose nga aeroplanët, janë të dizajnuara për përdorim të kufizuar në fushën e betejës në Evropë dhe Azi, në krahasim me armët më të mëdha “strategjike” që kanë për cak SHBA-në. Kokat moderne taktike mund të lëshojnë akoma më shumë energji sesa bombat e përdorura në Nagasaki dhe Hiroshima në vitin 1945.
Megjithëse dosjet janë të vjetra më shumë se dhjetë vjet, ekspertët pretendojnë se mbeten të rëndësishme për doktrinën aktuale ushtarake ruse. Dokumentet janë siguruar nga burime perëndimore.
Planet mbrojtëse ekspozojnë dyshimet e thella për Kinën në mesin e elitës së sigurisë së Moskës, edhe pse Putini filloi të krijonte aleancë me Pekinin, e cila qysh në vitin 2001 përfshinte një marrëveshje bërthamore. Në vitet që pasuan, Rusia dhe Kina kanë thelluar partneritetin e tyre, veçanërisht që kur Xi Jinping mori pushtetin në Pekin në vitin 2012.
Lufta në Ukrainë ka çimentuar statusin e Rusisë si partnere e vogël në marrëdhëniet e tyre, me Kinën që i hedh Moskës një litar shpëtimi ekonomik për të ndihmuar në shmangien e sanksioneve perëndimore. Megjithatë, edhe pse vendet u afruan, materialet e trajnimit tregojnë se distrikti ushtarak lindor i Rusisë po provonte skenarë të shumtë që përshkruanin pushtimin kinez.
Stërvitjet ofrojnë një pasqyrë të rrallë se Rusia e sheh arsenalin e saj bërthamor si vendimtar të politikës së saj të mbrojtjes – dhe se si ajo stërvit forcat që të jenë në gjendje të kryejnë sulme bërthamore në disa kushte të fushëbetejës./Reporteri.net.