×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania i dhuron Ukrainës 18 tanke “Leopard 2”

    Reporteri
    27 Mars 2023 | 19:53
    Tanku Leopard 2. Fotografi ilustruese.

    Forcat e armatosura të Ukrainës kanë marrë 18 tanke moderne luftarake Leopard 2A6 nga Gjermania, konfirmoi të hënën kancelari Olaf Scholz gjatë një konference për media me kryeministrin holandez, Mark Rutte, në Roterdam.

    “I kemi dorëzuar, ashtu siç është paralajmëruar”, ka thënë Scholz.

    Për arsye sigurie, institucionet qeveritare gjermane nuk kishin bërë publike asgjë në lidhje me transportin e tankeve.

    Më 25 janar, pas një beteje të gjatë politike të brendshme, Qeveria e Gjermanisë u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

    Polonia ishte shteti i parë që në fillim të marsit dërgoi 4 tanket e para Leopard 2 në Ukrainë.

    Kievi ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

    Përveç Polonisë dhe Gjermanisë, edhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket Leopard 2. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 13 mars në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!