×
  • Lajme
  • Botë

    Gjyqi për ushtarin rus që vrau civilin ukrainas, 21-vjeçari thotë se është penduar

    Reporteri
    20 Maj 2022 | 20:28

    Një ushtar rus, 21-vjeçar i tha gjykatës, të premten, më 20 maj, se ai nuk donte të vriste civilin e paarmatosur dhe se është penduar sinqerisht, duke dhënë fjalën e tij përfundimtare në gjyqin e parë për krimet e luftës, pas pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt.

    Vadim Shishimarin, komandant i tankut, u deklarua fajtor për vrasjen, më 28 shkurt, të Oleksandr Shelipovit, civil 62-vjeçar, në fshatin verilindor të Ukrainës, Çupakivka.

    “Sinqerisht pendohem. Isha nervoz atëherë, nuk doja të vrisja … kështu ndodhi”, tha Shishimarin.

    Ai akuzohet se ka shtënë disa herë me pushkë në drejtim të kokës së civilit, pasi u urdhërua ta bënte këtë.

    Avokati mbrojtës, Viktor Ovsianikov tha në gjyq se Shishimarin qëlloi me plumba vetëm pasi ai dy herë refuzoi të zbatonte urdhrin për të qëlluar dhe se vetëm njëri prej tre apo katër plumbave të shtënë goditi cakun.

    Ai theksoi se Shishimarin ka shkrepur plumbat nga frika për sigurinë e tij, duke vënë në pikëpyetje aktakuzën se i akuzuari synonte të vriste.

    “Ishte ulur në xhamin e makinës … makina po lëvizte me shpejtësi të madhe me një gomë të shfryrë”, tha Ovsianikov.

    “Konkludoj se Shishimarin qëlloi pa qëllim dhe nuk kishte ndërmend të vriste civilin dhe se ai e zbatoi urdhrin, jo me qëllimin për të vrarë personin, por formalisht, me shpresën se (plumbat) nuk do të qëllonin”, tha avokati mbrojtës.

    Ai shtoi se “nuk do të duhej që ky i ri të jetë në bankën e të akuzuarit, por udhëheqja e lartë e shtetit tjetër, për të cilin mendoj se është fajtor për nisjen e kësaj lufte”.

    Prokurori i shtetit Andrij Sinjuk tha se këto argumente nuk e ndryshojnë thelbin e rastit.

    “Gjykata do të analizojë të gjitha provat dhe do të shpallë vendimin e saj. Argumentet e mbrojtjes nuk hedhin poshtë në asnjë mënyrë atë që kemi paraqitur dhe nuk hedhin poshtë … fajin e vetë Shishimarinit”, tha prokurori.

    Gjykatësi mund të japë vendimin të hënën. Prokurori i shtetit kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Shishimarin.

    Kremlini tha se nuk kishte informacion në lidhje me gjyqin dhe se mungesa e misionit të tij diplomatik në Ukrainë kufizon mundësinë e ofrimit të ndihmës.

    Ukraina akuzoi Rusinë për mizori dhe brutalitet ndaj civilëve gjatë pushtimit, duke deklaruar se kishte identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme lufte. Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët ose përfshirjen në krime lufte.

    Muajin e kaluar, kryeprokurorja e Ukrainës, Irina Venediktova identifikoi 10 ushtarë të Brigadës së 64 të këmbësorisë së mekanizuar të Forcave të Armatosura të Rusisë, duke thënë se ata dyshoheshin për “mizori ndaj civilëve dhe krime të tjera lufte” në Buça, duke shtuar se hetuesit ukrainas po vazhdojnë të mblidhnin prova.

    Tërheqja e forcave ruse nga Buça dhe qytetet tjera pranë Kievit ka zbuluar prova tronditëse të vrasjeve brutale, torturave, varreve masive dhe të shtënave pa dallim ndaj civilëve gjatë luftimeve.

    Më 12 maj, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC), me një shumicë të madhe miratoi një rezolutë për të nisur hetimin mbi akuzat për abuzime nga trupat ruse në zonat e Ukrainës, të cilat i kontrollonin përkohësisht.

    Rezoluta e UNHRC-së përmend raste të dukshme të torturës dhe abuzimit seksual, së bashku me krime të tjera të dokumentuara nga ekipi i OKB-së në terren./rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!