×
  • Lajme
  • Botë

    “Guvernatori mesatar Republikan” që mund ta mbajë ish-Presidentin Trump larg Shtëpisë së Bardhë

    Reporteri
    16 Nëntor 2022 | 18:45
    Donald Trump dhe Ron DeSantis, kandidatë për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    Ish-presidenti Donald Trump, tashmë edhe zyrtarisht ka bërë publike kandidaturën e tij për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidoqoftë, kjo garë po duket të jetë sfiduese për të, marrë parasysh edhe rezultatet e fundit të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Sondazhet e fundit shpallin guvernatorin e Floridës, DeSantis, si kandidat të denjë me të cilin Trump nuk do ta ketë të lehtë përballjen.

    Ron DeSantis, i rizgjedhur guvernator i Floridës me gati 60% të votave, është parë në të kaluarën si trashëgimtari i Donald Trump, raporton Sky News, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Disa e kanë konsideruar atë si “Trump 2.0”, një version “kopje” e ish-presidentit amerikan.

    Sondazhet e para shtetërore shpërfaqin se DeSantis e ka mundur Trumpin me përqindje të theksuar në disa shtete, prej tyre me 11 pikë në Ioëa e 26 në Florida.

    Në një deklaratë të gjatë, Trump e quajti DeSantis një “guvernator mesatar Republikan me marrëdhënie të shkëlqyera me publikun”.

    Këtij të fundit nuk po i bëjnë shumë përshtypje emërimet e ish-Presidentit Trump. Kur u pyet për këto komente, DeSantis tha se janë “thjesht zhurmë”.

    Ai e quajti fitoren e tij në garën për guvernator si “fitorja më e madhe republikane në historinë e shtetit të Floridës”.

    Zyrtare: Trump shpall kandidaturën për president

    Performanca e dobët e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit dhe dështimi i një sërë kandidatësh të mbështetur nga Trump ka bërë që shumë të kenë dyshime nëse ish-presidenti Trump është lideri i duhur për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme, shkruan tutje Sky News, përcjell Reporteri.net.

    Ish-zëvendëspresidenti i tij, Mike Pence, ka sugjeruar se do të ketë “zgjedhje më të mira” për votuesit republikanë dhe se kandidati Ron DeSantis i Floridës po merr shumë vëmendje si një sfidues i mundshëm i Trumpit në zgjedhje.

    Trump vazhdon të mbetet një figurë tejet polarizuese, duke shkaktuar ndarje mes votuesve. Sipas disa sondazheve të Associated Press, 54 për qind e votuesve në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, “e kanë parë me sy të keq” ish-presidentin Trump, sondazh ky i bërë me rreth 95 mijë amerikanë.

    Derisa në një sondazh tjetër në tetor, 43% e të anketuarve kanë shprehur se nuk duan që Trump të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme.

    Donald Trump të martën në mbrëmje njoftoi kandidaturën e tij për nominimin presidencial republikan në vitin 2024, duke shkaktuar një mal trazirash në politikën amerikane dhe veçanërisht partinë e tij politike.

    “Për ta bërë Amerikën të madhe dhe të lavdishme përsëri, unë sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!