×
  • Lajme
  • Botë

    Irani thotë se “nuk do të qëndrojë indiferent” nëse vërtetohet që dronët po i përdoren në Ukrainë

    Reporteri
    24 Tetor 2022 | 22:58

    Irani nuk do të qëndrojë indiferent nëse vërtetohet se dronët e tij janë duke u përdorur nga Rusia në luftën e nisur në Ukrainë, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian.

    Ai i ka bërë këto deklarata teksa rriten dyshimet se Republika Islamike e Iranit është duke furnizuar me dronë Moskën, për të kryer sulme në Ukrainë.

    “Nëse vërtetohet se dronët iranianë po përdoren në luftën në Ukrainë kundër njerëzve, ne nuk do të qëndrojmë indiferentë”, është cituar të ketë thënë Amirabdollahian, sipas medias shtetërore.

    Megjithatë, ai ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimi mes Teheranit dhe Moskës në fushën e mbrojtjes.

    Britania, Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për një hetim të Kombeve të Bashkuara rreth akuzave se Rusia është duke përdorur dronë të prodhuar nga Irani për të sulmuar Ukrainën.

    Sipas tyre, diçka e tillë përbën shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Duke cituar diplomatët dhe zyrtarë tjerë, agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar javën e kaluar se, përveç dronëve, Irani i ka premtuar Rusisë se do t’i dërgojë raketa tokë-tokë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

    Putin e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!