×
  • Lajme
  • Botë / Akuzat

    Ish-avokati i Navalnyt arrestohet në Moskë

    Reporteri
    27 Shkurt 2024 | 19:39

    Mediat ruse raportuan më 27 shkurt se policia arrestoi Vasily Dubkov – ish-avokatin e politikanit opozitar, Aleksei Navalny – me akuza të paspecifikuara, shkruan Radio Evropa e Lirë

    Navalny vdiq derisa po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim nën akuza që përfshinin ekstremizëm.

    Avokati Dubkov shoqëroi nënën e Navalnyt në qytetin Salekhard javën e kaluar, ndërsa ajo po kërkonte të lironte trupin e djalit të saj.

    Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënës së tij, Lyudmila Navalnaya më 24 shkurt, më shumë se një javë pasi kritiku i Kremlinit vdiq në rrethana të dyshimta në një burg në Arktik.

    Ende nuk është bërë publike shkaku i vdekjes së 47-vjeçarit.

    Tre ish-avokatët e Navalnyt – Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster – u arrestuan në nëntor me akuza për ekstremizëm.

    Në mes të nëntorit, një gjykatë në Moskë lëshoi një urdhër arresti për një tjetër ish-avokat të Navalnyt, Olga Mikhailova, me akuza për ekstremizëm.

    Navalny, mbështetësit e tij, zyrtarët perëndimorë dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kishin cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.

    Qindra rusë janë arrestuar gjatë homazheve për Navalnyn në mbarë Rusinë.

    Familjarët e Navalnyt, bashkëpunëtorët e tij dhe zyrtarët perëndimorë kanë fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e tij.

    Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë këto akuza.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!