Komisioni Evropian do të mbajë të mërkurën një takim të posaçëm për të diskutuar kërcënimet e shumta me bomba ndaj avionëve në Evropë, ku është ftuar edhe Zvicra.

Në takim do të marrin pjesë ekspertë të sigurisë ajrore nga vendet e BE-së, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda, të cilët do të shqyrtojnë situatën dhe masat e mundshme për parandalimin e incidenteve të tjera.

Gjatë javës së kaluar janë regjistruar të paktën 30 kërcënime ndaj avionëve, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror dhe ulje të paplanifikuara në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën dhe Bullgarinë. Deri më tani, Zvicra nuk është prekur nga këto incidente.

Reklamë

Autoritetet nuk kanë gjetur prova për praninë e mjeteve shpërthyese, ndërsa mbetet e paqartë nëse rastet kanë ndërlidhje mes tyre. Hetimet janë duke vazhduar dhe Komisioni Evropian ka aktivizuar një mekanizëm për shkëmbimin e informacioneve ndërmjet vendeve të prekura.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, ka ngritur dyshime se këto incidente mund të jenë pjesë e një fushate të koordinuar të agresionit hibrid kundër demokracisë evropiane.

Ndërkohë, kërcënime me bomba janë regjistruar edhe ndaj disa mediave në Irlandë, ku punonjësit e transmetuesit publik RTÉ dhe dy mediave të tjera u evakuuan të premten./Albinfo.ch