×
  • Lajme
  • Botë

    Mbështetja për presidentin Biden, më e ulëta që kur mori detyrën

    Reporteri
    21 Maj 2022 | 9:17

    Mbështetja për Presidentin amerikan Joe Biden ra në muajin maj në pikën më të ulët që kur mori detyrën, sipas një sondazhi të ri, ndërsa rritet pesimizmi në radhët e anëtarëve të Partisë së tij Demokrate.

    Vetëm 39% e të rriturve të SHBA-së e miratojnë punën e presidentit Biden, sipas sondazhit të agjencisë Associated Press dhe qendrës NORC për Studime Publike, një ulje e mëtejshme e vlerësimeve negative një muaj më parë.

    Në përgjithësi, vetëm rreth 2 ndër 10 të rritur thonë se Shtetet e Bashkuara po shkojnë në drejtimin e duhur ose se ekonomia është në gjendje të mirë, ndërsa një muaj më parë kjo shifër ishte 3 ndër 10. Rënia e mëtejshme është kryesisht mes demokratëve, me vetëm 33% brenda partisë së presidentit që thonë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, nga 49% në prill.

    Një shqetësim të veçantë për presidentin Biden përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor përbën fakti që mbështetja e tij mes demokratëve është 73%, një rënie e konsiderueshme që nga fillimi i presidencës së tij. Në sondazhet e AP-NORC të kryera në vitin 2021, vlerësimi për zotin Biden mes demokratëve nuk ra kurrë nën 82%.
    Përfundimet pasqyrojnë një ndjenjë të përhapur zemërimi në një vend që përballet me një numër sfidash që variojnë nga inflacioni, dhuna me armë dhe një mungesë e papritur e qumshtit artificial për bebe, si edhe pandemia e koronavirusit.

    Republikanët prej kohësh kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me presidentin Biden. Më pak se 1 në 10 e miratojnë punën e tij, ose menaxhimin e ekonomisë, por kjo nuk ndryshon nga muaji i kaluar.

    Në përgjithësi, dy të tretat e amerikanëve nuk e miratojnë menaxhimin e e ekonomisë nga zoti Biden. Ky vlerësim është kryesisht i pandryshuar gjatë muajve të fundit, megjithëse është ngritur paksa që nga dy muajt e parë të vitit.

    Por ka shenja se pakënaqësia me zotin Biden lidhur me ekonominë është thelluar. Vetëm 18% e amerikanëve thonë se politikat e tij kanë bërë më shumë për të ndihmuar sesa për të dëmtuar ekonominë, më pak nga 24% në mars. 51 % thonë se ato politika më shumë kanë dëmtuar sesa kanë kanë ndihmuar, ndërsa 30% thonë se nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim.

    Përqindja e demokratëve që thonë se politikat e presidentit Bidenit kanë bërë më shumë për të ndihmuar u ul nga 45% në 37%, megjithëse vetëm 18% thonë se ato më shumë kanë dëmtuar; 44% thonë se nuk kanë sjellë asnjë ndryshim.

    Disa demokratë fajësojnë faktorë të tjerë për inflacionin, si pandemia dhe lufta në Ukrainë. Por ka prej tyre që mendojnë se stimujt financiarë gjatë pandemisë sollën si rezultat lënien e punës nga shumë njerëz.

    Një pikë tjetër dobësie për presidentin është imigracioni.

    Vetëm 38% e amerikanëve mbështesin zotin Biden lidhur me imigracionin.

    Në përgjithësi, 45% e amerikanëve miratojnë qëndrimin e presidentit Biden në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, ndërsa 54% nuk e miratojnë. Kjo shifër ka qenë e qëndrueshme çdo muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Shtatëdhjetë e tre përqind e demokratëve e miratojnë punën e zotit Biden në këtë drejtim kundrejt 15% të republikanëve.

    Sondazhi i ri tregon se vetëm 21% e amerikanëve thonë se kanë “shumë besim” tek aftësia e zotit Biden për të trajtuar situatën në Ukrainë; 39% thonë se kanë njëfarë besimi dhe 39% thonë se nuk kanë pothuajse aspak besim./Zëri i Amerikës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!