Ministri i Drejtësisë i Polonisë, Waldemar Zurek, ka deklaruar se personi i armatosur që vrau gjashtë persona në një shesh të Krakovit kishte vizituar faqe interneti që trajtonin Anders Behring Breivik, autorin e sulmeve terroriste të vitit 2011 në Norvegji, shkruan Reuters.

Zurek tha të martën se ka indikacione të forta se sulmuesi mund të jetë ndikuar nga ekstremizmi i djathtë.

Motivet e të dyshuarit janë bërë pjesë e një përplasjeje të ashpër politike në Poloni, pasi ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, deklaroi të shtunën, vetëm disa orë pas incidentit, se sulmuesi ishte ndikuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë.

Reklamë

Kjo deklaratë u kundërshtua nga lideri i partisë nacionaliste opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski, i cili e cilësoi atë si një “gënjeshtër të hapur”. Edhe disa përfaqësues të qeverisë dukeshin se ishin tërhequr nga ky qëndrim të hënën.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, tha për Radio Krakow të martën se ekziston një “indikacion shumë i fortë për ekstremizëm të djathtë” në veprimet e të dyshuarit, të cilin prokurorët e kanë identifikuar si Michal Oksinski, 24-vjeçar dhe punëtor fabrike.

“Është e qartë se ai ka vizituar faqe interneti që kanë të bëjnë me Anders Breivik”, tha Zurek.

Oksinski vdiq në spital të hënën, pasi ishte qëlluar dhe arrestuar nga policia disa minuta pas të shtënave në sheshin kryesor historik të Krakovit, një destinacion i frekuentuar nga turistët. Autoritetet thanë se ai kishte hapur zjarr nga një veturë.

Në dhomën e tij ishte gjetur një flamur i verdhë me një gjarpër dhe mbishkrimin “Mos më shkel”, i njohur si flamuri Gadsden. Sipas ministrit Zurek, ky simbol është përdorur edhe nga grupe të ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara.

Reklamë

Ai shtoi se edhe simbolet e gjetura në vendin e punës së të dyshuarit mund të jenë relevante për këtë pistë hetimore.

Në korrik të vitit 2011, Anders Behring Breivik, i njohur për qëndrimet e tij neonaziste dhe kundër myslimanëve, vrau tetë persona me një bombë të vendosur në veturë në Oslo, ndërsa më pas qëlloi për vdekje 69 persona, shumica prej tyre adoleshentë, në një kamp veror të të rinjve të Partisë Laburiste në ishullin Utoeya.

Nga ana tjetër, deputeti i PiS-it, Michal Wojcik, i tha Reutersit se ishte “i indinjuar” nga deklaratat e ministrit Zurek.

“Për mendimin tim, përfaqësuesit e qeverisë polake po sillen në mënyrë të pandershme ndaj komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Reklamë

Ministri i Brendshëm, Kierwinski, tha të martën për radion publike se nuk po tërhiqej nga deklaratat e tij të mëparshme, por se po priste rezultatet e hetimeve.

Zurek bëri të ditur gjithashtu se në veturën e përdorur nga sulmuesi ishte gjetur një silenciator.

Ndërkohë, trupat e babait, nënës dhe motrës së Oksinskit ishin gjetur të shtunën në shtëpinë e tyre familjare. Sipas zyrtarëve, dyshohet se edhe ata janë vrarë nga vetë Oksinski.