×
  • Lajme
  • Botë

    Nis gara për pasuesin e Truss, edhe Johnson mes pretendentëve

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 19:40

    Konservatorët janë vënë edhe një herë në lëvizje për një betejë të re në Downing Street, pasi qeverisja kaotike e Liz Truss mbërriti në fund, pas vetëm 6 javësh. Kandidatët për ta zëvendësuar atë duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën 100 kolegëve, çka e kufizon numrin e garuesve në vetëm 3 duke qenë se konservatorët numërojnë 357 deputetë.

    Ish-kryeministri Boris Johnson nuk e ka përjashtuar një rikthim disa muaj pasi u detyrua të dorëhiqej mes revoltës së parlamentarëve të tij. Ish-ministri i Financave Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt, të cilët humbën përballë Truss në garën për zëvendësimin e Johnson, shihen po ashtu si pretendentë të mundshëm.

    Mediat britanike vlerësojnë se Sunak ka mbështetjen e më shumë parlamentarëve, i ndjekur nga Johnson dhe Mordaunt. Nëse Johnson do të rikthehej në krye të numrit 10, kjo do të ishte e paprecedentë për historinë politike në Britaninë e Madhe.

    “Boris vijon të gëzojë mbështetje masive mes anëtarëve të partisë dhe shumë prej tyre janë të zemëruar qe ai u detyruar të largohej para se të mbaronte mandatin 5-vjeçar. Problemi është se ai është një personazh përçarës brenda partisë, dhe ka gjithashtu shumë parlamentarë që nuk e duan rikthimin e tij për arsyet që çuan në dorëheqjen e tij”, tha Andrew Macaskill, korrespondent i Reuters.

    Por në atë që duket të jetë një situatë tejet dinamike, edhe sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace, ish ministrja e brendshme Suella Braverman dhe ai tregtisë Kemi Badenoch, thuhet se po konsiderojnë pjesëmarrjen. Kandidatët kanë kohë deri në orën 14:00 të ditës së hënë të sigurojnë 100 mbështetës.

    Nëse 3 prej tyre do të arrijnë pragun, pjesëtarët e partisë do të rrezojnë njërin përmes një votimi në të njëjtën ditë. Fituesi do të zgjidhet pas një votimi online për dy kandidatët e mbetur, në një proces që duhet të finalizohet të premten e ardhshme.

    Liz Truss njoftoi dorëheqjen ditën e enjte, pas 6 javësh katastrofike; me një plan reduktimi taksash që tronditi tregjet dhe zhvlerësoi paundin, largim të kancelarit të thesarit, dhe sekretares së Brendshme, kthesë dramatike në politikën energjetike dhe në fund një sherr mes konservatoreve në parlament që vulosi humbjen e kredibilitetit të kryeministres./A2CNN

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!