×
  • Lajme
  • Botë

    Paralajmërohet ashpërsimi i propagandës ruse para zgjedhjeve në BE 

    Reporteri
    12 Shkurt 2024 | 21:48

    Franca, Polonia dhe Gjermania e kanë akuzuar Rusinë se po përgatit rrjet të hollësishëm të uebfaqeve  për të përhapur propagandë me qëllim  që t’i minojë qeveritë e shteteve evropiane. 

    Këto shtete kanë paralajmëruar gjithashtu se do të ketë shpërndarje të madhe të përmbajtjes propaganduese para zgjedhjeve në Bashkim Evropian në qershor. 

    Vendet e Perëndimit i kanë akuzuar vazhdimisht operativët rusë se po i përdorin rrjetet sociale dhe internetin për të shpërndarë të dhëna të rrejshme apo mashtruese për t’i minuar ato, për ta promovuar Rusinë, apo për ndryshuar opinionin publik në vendet e tyre kundër mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj nga pushtimit rus. 

    “Jemi në një kohë të ndjeshme kur do të kemi zgjedhje evropiane dhe, sa i përket Francës, organizimin e Lojërave Olimpike”, ka thënë ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, gjatë konferencës së përbashkët për media me homologët e tij, atë gjermane dhe atë polak në Paris të hënën. 

    Ministrat thanë se e kanë themeluar një mekanizëm të përbashkët për t’i vërejtur dhe për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme ruse në internet. 

    Reuters ka raportuar se sipas burimeve diplomatike, VIGINUM, vazhduesi francez i cili monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale, i ka identifikuar rreth 193 uebsajte të cilat synojnë të shpërndajë gjerësisht të dhëna nga burime proruse, si dhe nga media dhe institucionet ruse. 

    “Synimi duket të jetë mbulimi i konfliktit Rusi-Ukrainë duke e paraqitur ‘operacionin special ushtarak’ në mënyrë pozitive dhe duke i nënçmuar Ukrainën dhe liderët e saj”, tha një diplomat francez, duke iu referuar termit të Moskës për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. 

    Kremlini e ka mohuar vazhdimisht se përhap të dhëna të rrejshme apo mashtruese. Këshilli i Sigurimit i Rusisë i kishte përshkruar si absurde akuzat se Moska kishte bërë propagandë me informata të rrejshme për të ndikuar tek votuesit gjatë zgjedhjeve të Parlamentit Evropian më 2019. 

    Franca në veçanti i ka kritikuar aktivistët rusë në Afrikë, duke thënë se aktorët e lidhur me Moskën kanë tentuar ta zhvlerësojnë Parisin në Afrikën Perëndimore, në mediat e rregullta dhe në rrjetet sociale/REL. 

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!