Paralajmëron OKB: Pushtimi i Ukrainës mund të shkaktojë krizë globale ushqimore

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se pushtimi rus i Ukrainës mund të shkaktojë një krizë globale ushqimore që mund të zgjasë me vite.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres ka deklaruar se lufta ka rritur pasigurinë ushqimore në vendet më të varfra për shkak të rritjes së çmimeve.

“Disa vende mund të përballen me zi buke në afate të gjata nëse eksportet e Ukrainës nuk kthehen në nivelet e paraluftës”, tha Guterres.

Konflikti ka sjellë ndërprerjen e furnizimeve nga portet e Ukrainës, të cilat para pushtimit eksportonin sasi të mëdha vaji gatimi si dhe drithëra. Kjo ka ulur ofertën globale dhe ka bërë që çmimi i këtyre produkteve të rritet. Sipas OKB’së, çmimet globale të ushqimeve janë pothuajse 30% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Guterres tha se konflikti kërcënon të kalojë dhjetëra miliona njerëz në pasiguri ushqimore të ndjekur nga kequshqyerja dhe uria masive.

“Ka mjaft ushqim në botën tonë tani nëse veprojmë së bashku. Por nëse nuk e zgjidhim këtë problem sot, ne do të përballemi me spektrin e mungesës globale të ushqimit në muajt e ardhshëm,” shtoi ai.

Rusia dhe Ukraina prodhojnë 30% të furnizimit me grurë në botë dhe para luftës Ukraina shihej si “shporta e bukës” në botë, duke eksportuar 4.5 milion ton prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të saj.

Por që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt, eksportet kanë rënë dhe çmimet janë rritur shumë.