×
  • Lajme
  • Botë

    Përpjekjet e Turqisë për të zgjatur marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas

    Reporteri
    16 Nëntor 2022 | 22:46

    Marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë për eksportin e grurit, e ndërmjetësuar nga OKB-ja pritet të zgjatet të shtunën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, Turqia po bënë përpjekje për të bindur Rusinë që ta zgjasë marrëveshjen ndërsa bota po përballet me rritjen e çmimeve të ushqimit.

    Kjo anije po transporton grurë ukrainas në tregjet botërore, falë një marrëveshjeje mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuar nga OKB-ja, që hoqi bllokadën ruse ndaj porteve të Ukrainës.

    Por, analistët thonë se tërheqja e shkurtër e Moskës nga marrëveshja muajin e kaluar është një paralajmërim se negociatat për zgjatjen e saj më 19 nëntor do të jenë të vështira.

    “Mendoj se kjo i jep mundësi Rusisë tani për të kërkuar gjatë negociatave zbutjen e sanksioneve ndaj sistemit të saj bankar. Kjo është përpjekja kryesore e Rusisë tani, për të marrë në këmbim të zgjatjes së marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas një lehtësim më të madh të sanksioneve”, thotë Zaur Gasimov nga Universiteti i Bonit.

    Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar për ndihmën që ka dhënë në ndërmjetësimin e marrëveshjes së grurit dhe bindjen e Rusisë për t’u kthyer tek marrëveshja muajin e kaluar.

    Ndërsa pjesa më e madhe e botës e ka shmangur presidentin rus Vladimir Putin për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Presidenti Erdogan i ka thelluar lidhjet me të, duke u takuar rregullisht me udhëheqësin rus.

    Refuzimi i Ankarasë për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës forcon më tej marrëdhëniet, të cilat vëzhguesit thonë se i japin zotit Erdogan avantazh në përpjekjet për të zgjatur marrëveshjen e grurit.

    “Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin. Ky është një bashkëpunim politik për të mbajtur pushtetin në vendet e tyre. Erdogani ka padyshim interes të madh që marrëveshja e grurit të vazhdojë dhe Putini i bën atij lëshime apo gjeste të tilla që e bëjnë Erdoganin më të fortë në politikën e brendshme”, thotë analisti Huseyin Bagci nga Instituti i Politikës së Jashtme.

    Roli i Turqisë në marrëveshjen e grurit, të ndërmjetësuar nga OKB-ja, shihet si një nga sukseset më të mëdha diplomatike të zotit Erdogan.

    Marrëveshja e grurit administrohet në Stamboll, duke nënvizuar rëndësinë e Turqisë për marrëveshjen, dhe, sipas vëzhguesve, duke shpërblyer qasjen e ekuilibruar të Ankarasë ndaj konfliktit në Ukrainë.

    “Turqia ka arritur të bëhet një faktor që ka ruajtur një lloj ekuilibri mes Rusisë dhe Evropës, dhe deri tani e ka luajtur mjaft mirë këtë rol. Kjo vlen edhe për rolin e saj në marrëveshjen e grurit dhe në negociatat midis ukrainasve dhe rusëve, ndonëse ato nuk sollën rezultate. Pra, Turqia ka arritur të shfrytëzojë mirë këtë pozicion, atë të ndërmjetësuesit, atë fuqi, faktin që mund të flasë si me Putinin, ashtu edhe me evropianët dhe amerikanët si anëtare e NATO-s”, thotë Senem Aydin-Duzgit nga Universiteti Sabanci.

    Ankaraja mund të jetë në gjendje të bindë Moskën për zgjatjen e marrëveshjes së grurit, duke i lejuar anijet të vazhdojnë eksportimin e grurit të nevojshëm ukrainas në tregjet botërore.

    Ekspertët thonë se kjo do të jetë gjithashtu një provë kyçe e përpjekjeve të Turqisë për të treguar një qasje të ekuilibruar ndaj Rusisë./voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!