×
  • Lajme
  • Botë

    Princat e kartelit, brenda jetës luksoze dhe të rrezikshme të djemve të El Chapos

    Reporteri
    24 Janar 2023 | 20:31

    Bosi famëkeq i Kartelit të Sinaloas, El Chapo, raportohet se ka 23 fëmijë, disa prej të cilëve kanë trashëguar në një farë mënyre perandorinë e të atit. Kryesori është pa diskutim Ovidio Guzmán López, i cili u arrestua në fillim të janarit nga autoritetet meksikane.

    Ovidio lindi brenda territorit të Kartelit të Sinaloas, por u rrit qindra kilometra larg babait të tij trafikant, mes luksit. Kur ishte i vogël, Ovidio, shkonte çdo ditë me taksi në një shkollë private fetare vetëm për djem, në një lagje të ngritur të Meksiko Sitit, të quajtur “Jardines del Pedregal”.

    Por edhe pse mamaja e tij, Griselda López Perez, donte që djali i saj të bëhej pjesë e borgjezisë, planet iu prishën nga bashkëshorti famëkeq. Ovidio ndoqi rrugën e të atit dhe ngjiti shpejt shkallët e hierarkisë së kartelit, që drejtohej nga El Chapo.

    Kur ishte 11 vjeç, në vitin 2001, Ovidio u transferua në Kuliakan (Culiacan), kryeqyteti i Sinaloas, ku babai i tij dominonte, duke u arratisur nga burgu i sigurisë së lartë pasi paguante rojet. Ovidio iu bashkua kartelit pa mbushur 18 vjeç, duke punuar krah vëllait të madh, Joaquin. Dy vëllezërit e tjerë nga babai, Iván Archivaldo Guzmán Salazar dhe Jésus Alfredo Guzmán Salazar, gjithashtu ishin rekturuar dhe ishin bërë pjesë e kartelit. Të katërt njiheshin si Los Chapitos, ose El Chapot e vegjël.

    “Ovidio nuk është anëtar normal i kartelit”, thotë për “New York Post” Benjamin Smith, profesor i historisë së Amerikës Latine në Universitetin “Warwick”. “Shumica e drejtuesve të karteleve nuk i përfshinë fëmijët, duan që ata të jetojnë si pasanikë dhe të arsimohen. i dërgojnë në “Oxford” ose “Harvard”, nuk duan që të jenë pjesë e biznesit familjar”.

    Vendimi rezulton shpesh të jetë i drejtë. Një nga djemtë e El Chapos, Edgar Guzmán López, u vra në një atentat në maj 2008, kur ishte vetëm 21 vjeç, duke lënë gruan e ve dhe një vajzë të vogël, e cila është sot 17 vjeçe dhe po përpiqet të bëjë karrierë si këngëtare.

    Në vitin 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit, ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që jepte informacione që do të çonin në kapjen e secilit prej “El Chapo”-ve të vegjël.

    Ovidio, tashmë 32 vjeç, akuzohet se bashkë me vëllezërit ka ngritur rreth 11 laboratorë të përpunimit të metamfetaminës në Sinaloa. DASH thotë se ata prodhojnë deri në 2500 kilogramë metamfetaminë në muaj.

    Sipas Smith, ashtu si Pablo Escobar, bosi kolumbian i kokainës i vrarë nga autoritetet e vendit të tij në vitin 1993, edhe Ovidio çmendej pas makinave luksoze e veshjeve të shtrenjta. “Ai jetonte në lagjet e ngritura të Kuliakanit dhe kurrë nuk fshihej, siç bënin krerët e tjerë të karteleve”, thotë Smith. “Të gjithë e dinin ku jetonte”.

    Para se ta arrestonin më 5 janar, Ovidio jetonte me të dashurën e tij, Adriana Meza Torres, vajza e Raul Meza Ontiveros, pjesë e “gardës së vjetër” të kartelit. Sipas raportimeve, babai i saj u vra në një atentat në Sinaloa në vitin 2007. Për shkak të kësaj lidhjeje, Adriana kishte marrë nofkën “Mbretëresha e Kartelit të Sinaloas”, pas arrestimit të njerkës së Ovidioas, Emma Coronel Aispuro në vitin 2021.

    Vetë Ovidio u arrestua një herë në 17 tetor 2019 nga Garda Kombëtare Meksikane, në shtëpinë e tij në Kuliakan. Por për shkak të terrorit që bënë në qytetin me gati 900 mijë banorë mbështetësit e tij, autoritetet u detyruan ta lironin. 8 persona humbën jetë gjatë luftimeve të vërteta, ndërsa 16 të tjerë mbetën të plagosur. Vendimi për ta liruar u mbështet edhe nga Presidenti i Meksikës, Andres Manuel López Obrador, i cili që kur mori mandatin në vitin 2018, deklaroi se zhvillimi social i vendit ishte më i rëndësishëm se lufta kundër drogës.

    Më 9 janar, katër ditë para vizitës në Meksikë të Presidentit Joe Biden, autoritetet meksikane arrestuan sërish Ovidion. Anëtarët e kartelit përsëri reaguan dhunshëm dhe raportohet se 30 vetë humbën jetën në qytet.

    “Dhuna nuk ishte përpjekje për të rimarrë Ovidion”, thotë Smith. “Po të kishin dashur këtë, do të kishin qëlluar në drejtim të helikopterëve të qeverisë. Por ata donin të paralajmëronin që qeveria të mos arrestonte më anëtarë të tjerë”.

    Për Smith, arrestimi dramatik ishte më tepër “teatër politik” për përfitimet e Biden. “U bë shumë zhurmë e madhe sepse kapja e tij nuk i prish asnjë punë tregtisë së drogës përveç se e bën më të lirë çmimin”, thotë ai.

    Ovidio dhe vëllezërit e tij sigurisht që kanë trashëguar nga i ati rolin e tyre në karel, por sipas Smith, ata janë “nyje të vogla në rrjetin gjigant” të trafikut të drogës pa ta. Sipas Smith, vëllezërit Guzman kontrollojnë zona të ndryshme të shtetit të Sinaloas, ku taksojnë prodhuesit e drogës. “Me largimin e tij, thjesht është hequr një taksë. Ovidio ishte praktikisht taksidar i kartelit”.

    Sipas Smith, Ovidio me shumë mundësi ka mërzitur dikë nga konkurrenca. “Iu qepën pas dhe policia e dinte mirë se ku ndodhej në Sinaloa, sepse ishte shumë i famshëm, një version më i vogël i Escobar”, thotë Smith.

    Ovidio ndodhet tani në një burg federal në Meksikë, teksa i ati është mbyllur në qeli në SHBA, në një prej burgjeve më të rëndë në mes të maleve në Kolorado. Autoritetet meksikane po e mbajnë nën vëzhgim Ovidion, por sipas Smith, kjo do të ndryshojë kur ai të kalojë në një burg të zakonshëm. “Atëherë ai do të jetë në gjendje të bëjë ç’të dojë”, thotë Smith. /a2cnn

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!