×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia akuzon Ukrainën për sulmin ndaj centralit bërthamor të Zaporizhias

    Reporteri
    05 Gusht 2022 | 21:59

    Rusia akuzoi të premten ushtrinë ukrainase se po bombardonte termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhia, më i madhi në Evropë, dhe akuzoi se qeveria e Volodymyr Zelensky-t po kryente akte të “terrorizmit bërthamor”.

    Më herët të premten, autoritetet në Kiev akuzuan ushtrinë ruse për goditjen e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia, i cili ndodhet në Ukrainën juglindore.

    “Njësitë e armatosura ukrainase kryen tre sulme artilerie në territorin e termocentralit bërthamor të Zaporizhias dhe në qytetin Energodar”, tha ministria ruse e mbrojtjes në një deklaratë.

    “Ne po u bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare që të dënojnë veprimet kriminale të regjimit Zelensky, i cili po kryen akte të terrorizmit bërthamor”.

    Trupat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor në mars pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupat ushtarake në vendin properëndimor më 24 shkurt.

    Rusia pretendoi se sulmet u kryen nga brigada e 45-të e artilerisë së forcave të armatosura ukrainase.

    Si rezultat i goditjeve, një tubacion hidrogjeni u dëmtua dhe shkaktoi një zjarr, tha ministria e mbrojtjes në një deklaratë, duke shtuar se zjarri u vu nën kontroll.

    “Për fat të mirë, predhat ukrainase nuk goditën objektet e afërta të naftës dhe karburantit dhe stacionin e oksigjenit, duke shmangur kështu një zjarr më të madh dhe një aksident të mundshëm rrezatimi në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë”, tha ministria e mbrojtjes ruse.

    Këtë javë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se situata në termocentralin bërthamor ishte “e paqëndrueshme”.

    “Çdo parim i sigurisë është shkelur në një mënyrë ose në tjetrën,” tha shefi i IAEA, Rafael Grossi./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!