×
  • Lajme
  • Botë

    S’ka luftë bërthamore, zotohen pesë prej shteteve më të fuqishme në botë

    Reporteri
    04 Janar 2022 | 10:06

    Pesë nga shtetet më të fuqishme të botës janë pajtuar se “një luftë bërthamore s’mund të fitohet dhe s’duhet të niset kurrë” në një marrëveshje të rrallë me qëllim për të reduktuar rreziqet për luftëra të mundshme.

    Zotimi u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, pesë shtetet e armëve bërthamore të njohura nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore të vitit 1968, (NPT) e që janë edhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Ato njihen edhe si P5 ose N5.

    Zotimet e tilla konsiderohen çështje të mëdha për sigurinë botërore. Ato janë aq të rralla në një kohë kur fërkimet janë rritur. Moska po kërcënon me pushtim Ukrainën e Kina ka sinjalizuar gatishmërinë ushtarake ndaj Tajvanit. Marrëveshja është një rinovim i zotimit për të parandaluar çfarëdolloj katastrofe nga bombat bërthamore.

    Një zyrtar i Departamentit të Shtetit në SHBA ka thënë se për zotimin është diskutuar qe disa muaj, pavarësisht ambientit të tensionuar.

    Konferenca e NPT-së ka qenë e planifikuar më herët, por që dështoi për shkak të variantit Omicron dhe mospajtimeve se a duhet të mbahet online.

    “Ne zotohemi se një luftë bërthamore s’mund të fitohet dhe s’duhet të niset kurrë”, thuhet në zotim, që i bën jehonë deklaratës së përbashkët të Ronald Reaganit dhe Mikhail Gorbachevit të samitit të 1985-s në Gjenevë.

    Në mes shteteve me armë bërthamore dhe atyre që s’kanë të tilla ka pasur një zotim për mosblerje apo çarmatim. Konferenca fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2020. Për të pati shumë diskutime për shkak se shtetet e armatosura ngecën në çarmatim. Katër shtete tjera me armë bërthamore që s’njihen nga NPT-ja: Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja Jugore – s’kanë dhënë shenja të heqjes së rezervave po ashtu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!